Programuese kompjuteri është 53-vjeçarja Pascal Ferrier, gruaja e cila akuzohet zyrtarisht për dërgimin e një zarfi me helm në Shtëpinë e Bardhë në adresë së Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
Ferrier ka lindur në Francë por në 2015 fitoi shtetësinë kanadeze dhe jeton në Quebec. Në maj të vitit 2019, u arrestua në Teksas për armbajtje pa leje dhe drejtim mjeti me leje drejtimi të falsifikuar. Ajo më pas u dëbua në Kanada sipas New York Times, dhe u konstatua se viza i kishte skaduar.
Ndaj saj tashmë rëndon një tjetër akuzë në gjykatën e Nju Jork-ut, për “kërcënim ndaj presidentit amerikan”.
Zarfi që përmbante substancën toksike ricin dhe letrën kërcënuese, u dërgua në Shtëpinë e Bardhë të premten e kaluar. Pakoja e dërguar nga Kanadaja kishte brenda saj një letër që përshkruante Trumpin si “tiran e klloun të shëmtuar” ndërsa Ferriera i kërkonte atij “të jepte dorëheqjen dhe të hiqte dorë nga kandidimi në zgjedhjet e ardhshme”, sipas FBI.
“Unë ju bëra një dhuratë speciale për të të ndihmuar të marrësh një vendim. Kjo dhuratë është në këtë letër”,- shkruante kanadezja.





