Deri më tani, Dafina Zeqiri ka publikuar dy këngë me videoklip për tregun ndërkombëtar, të dyja vetëm me emrin e saj. Edhe përmbledhja muzikore e parë për Dafinën në Amerikë, “King EP”, përmban këngë ku këndon vetëm ajo.
Edhe pse ka marrë vëmendjen e disa mediave prestigjioze ndërkombëtare, si përshembull “The Fader” apo “Harper’s Baazar”, Dafina Zeqiri thotë se ende s’ka shpërthyer.
Në intervistën e parë pas shumë vitesh për një media shqiptare, Dafina Zeqiri zbuloi për “Prive” se viti i ardhshëm do ta gjejë duke bashkëpunuar me emra të mëdhenj të muzikës amerikane, edhe pse nuk deshi të zbulojë se cilët.
“Mos harroni se akoma s’kam bërë bashkëpunim ndërkombëtar. E kemi në plan në 2018-ën. S’e zbuloj dot, por do të kem bashkëpunime me…Kaq po them.”
Prej më shumë se një viti e larguar nga Kosova, Dafina Zeqiri thotë se ruan të njëjtin afrimitet me miqtë e saj këtu dhe një ndër gjërat e para që ëndërron të bëjë pasi të kapë majat e suksesit në SHBA, thotë se do të jetë t’i marrë atje me një avion privat.
“U them gjithmonë shokëve që kam në Kosovë se, kur t’i vijë koha që të shpërthej në Amerikë, do të çoj një avion t’i marrë e të mi sjellë atje. Më merr shumë malli për ta.”
Ndërkaq, këngëtarja u rikthye në tregun muzikor shqiptar me një këngë shqip, “Ti e din”, me një videoklip të fokusuar vetëm tek fytyra e saj dhe një stil shumë ndryshe nga klipet që ka realizuar në SHBA. Dafina Zeqiri thotë se do të publikojë edhe këngë të tjera për shqiptarët, ndërsa punon për suksesin në SHBA.