Levante u mund në derbi nga skuadra e Valencias, ndërkohë sulmuesi i ri i ekipit të La Ligas, bomberi i kombëtares shqiptare Armando Sadiku, nuk u grumbullua as në këtë sfidë.
Ndërkohë që debutimi i tij pritej që në ndeshjen e parë ndaj Realit të Madritit, të gjithë u habitën kur emrin e Sadikut nuk e gjetën as në listën e të grumbulluarve për ndeshjen që Levante luajti kundër Valencias.
Gjatë një prononcimi për “telesport”, Sadiku tregoi se kur do të rikthehet në fushën e blertë.
“Vonesa e debutimit ka ardhur për shkak të një dëmtimi, që do vonojë edhe për dhjetë ditë të tjera debutimin me ekipin e Levantes”-tha shkurtimisht Sadiku.
Ky është një hap i rëndësishëm në karrierën e sulmuesit shqiptar Armando Sadiku, i cili do të ketë fatin të luajë në një prej kampionateve më të fortë në Europë dhe padyshim kundër dy lojtarëve më të mirë të të gjitha kohërave si Kristiano Ronaldo i Real Madrid dhe Lionel Mesi i Barcelonës.