Zhvillimet e fundit brenda PD, kur të premten Këshilli Kombëtar i mbledhur për herë të parë pas 4 vjetësh miratoi ndryshimet në Statutin e saj, kanë krijuar debate, polemika dhe kanë provokuar komente të shumta. Ish Kryetari historik i kësaj partie, Sali Berisha nuk ishte në këtë mbledhje. Një qëndrim që është komentuar në mënyra të ndryshme.
E si të mos mjaftonte fakti se Lulzim Basha e ka fiksuar në “Kushtetutën e PD” se tani e tutje mund të jetë kryetari i përjetshëm i kësaj partie, me anë të një neni tjetër në statut ai ka larguar nga Kryesia e PD 25 personalitetet aktuale të saj, mes të cilëve nga ish ministra dhe kryetarë komisionesh parlamentare e deri tek dhëndri i Sali Berishës vetë, Jamarbër Malltezi.
Heshtjen e Sali Berishës disa e kanë komentuar si përkrahje ndaj veprimeve të Bashës për zaptimin e partisë, derisa ai vetë e ka deklaruar se pas kësaj për PD fillon një periudhë tjetër. Periudha e Lulzim Bashës. “Janë ndryshime që e ndajnë historinë e Partisë Demokratike në dy pjesë”,- tha Basha që do të thotë se pjesa e parë është ajo e Sali Berishës.
Periudha e Sali Berishës ka qenë nga 1990 e deri më sot. Kohë kjo gjatë së cilës edhe për shkak të impenjimeve shtetërore si President Republike apo pasi dha dorëheqjen në 2013, postin e Kryetarit të PD e kanë mbajtur edhe të tjerë. Pavarësisht se Sali Berisha ka qenë lideri absolut për demokratët vetë.
I pari që e ka drejtuar PD në dhjetor 1990 dhe në ditët e para të 1991 ka qenë Azem Hajdari, lideri i levizjes së studentëve, që u zgjodh kryetari i Komisionit Nismëtar të kësaj Partie.
Në 1991-1992 Sali Berisha u zgjodh Kryetar. E më pas kur ai u bë President i Republikës, vendin e tij në parti e zuri Eduard Selami (1992-1995), Tritan Shehu (1995- ’97), Genc Pollo provizorisht më 1997 e për tu rikthyer sërisht Sali Berisha vetë në Krye të PD kur ajo kaloi në opozitë 8 vjet (deri 2005) dhe 8 vitet e tjera në pushtet kur ishte Kryeministër (2005- 2013).
Pasi humbi zgjedhjet (23 qershor 2013), Berisha dha dorëheqjen dhe vendin e tij pas një gare me Sokol Olldashin, e zuri Lulzim Basha.
Në të gjitha rastet Sali Berisha ka qenë i pakënaqur dhe i zhgënjyer me drejtuesit e tjerë të PD në këto 27 vjet.
Kjo për arësye të ndryshme, sipas veçorive, profileve dhe personalitetit të secilit prej mëkëmbësve të tij.
Azem Hajdari për shkak ndoshta se mbeti një rebel i përjetshëm dhe kurrë nuk iu nënshtrua si shumë të tjerë diktatit të kryetarit, por edhe kurrë nuk mendoi që të largohej nga partia që themeloi, paravarësisht rrethanave dhe mënyrës se si vepruan shumë ish themelues të tjerë të PD.
Eduard Selami për shkak ndoshta se ishte shumë i ri dhe mendjehapur për të qenë thjeshtë manekini apo matrjoshka e kryetarit të përjetshëm “de facto” të PD.
Tritan Shehu ndoshta se ishte më shumë se çduhet pro Sali Berishës, duke mos krijuar sa ishte në krye të PD profilin e tij origjinal të një kryetari faktik.
Genc Pollo ndoshta për shkak se nuk do të qëndronte aq sa duhet dhe nuk e lanë që të kishte mundësinë që të bënte atë që tentoi më pas kur krijoi partinë e tij (PDr) dhe i vodhi PD edhe siglën.
Lulzim Basha ndoshta për shkak se u zgjodh si pasaardhës dhe po tenton pas 5 vitesh që të krijojë trashëgiminë e tij të re, duke mohuar gjithçka nga ajo që u investua dhe iu dhurua pa shumë mund e sakrifica nga paraardhësi.
Gjithësesi, në ndryshim nga të gjitha historitë e deritanishme me mëkëmbës, dytës apo pasardhës, sfida më e fortë ndaj Berishës, po vjen andej nga ai e ka pritur ndoshta më pak. Nga Lulzim Basha. Jo edhe aq për leximin naiv se ai nuk po e pyet më. Sesa për zhgënjimin se PD e Lulzim Bashës nuk ka më asgjë të përbashkët apo të ngjashme me PD e Sali Berishës. E kjo jo për mirë. Por për keq. Për aq kohë sa me Lulzim Bashën Kryetar, PD i ka humbur të gjitha betejat e deritanishme elektorale dhe gjasat janë që humbjet të vijojnë, ndoshta edhe më të thella në të ardhmen.
Trishtimi i Berishës bëhet më i madh në këtë rast mbase, kur e gjitha kjo po luhet para syve të tij dhe ndryshe nga 27 vjet të shkuara, ai nuk ka më asnjë mundësi që të rikthehet apo të korigjojë gabimin e bërë.
Përgatiti: Alpenews.al


