Nuk është e njëjta pamje si në kohë virozash këtu në qendrën shëndetësore nr. 10 pranë zonës së Oxhakut në Tiranë. Nuk ka njerëz që ankohen apo kërkojnë ndihmë mjekësore për Covid. Ata reagojnë ndryshe nga çdo rast tjetër infektimi apo patologji. Madje edhe kur kanë shenja të ngjashme me sëmundjen që po trondit botën, qytetarët nuk vrapojnë drejt klinikave duke mos dashur të besojnë se janë infektuar por edhe për të mos u ekspozuar.
Në qendrën shëndetësore nr.10, 20 qytetarë aktiv po trajtohen nga mjekët e familjes, ku mesatarisht një i tillë ka 10-12 pacientë. Jonida Diko tregon për Report Tv se numri i të infektuarve është rritur gjatë muajit gusht dhe vazhdon të rritet.
“Numri i pacientëve që ankohen për simptoma aktualisht këtë muaj ka qenë në rritje dhe vazhdn të jetë në rritje. Pjesa më e madhe e pacientëve e kanë kaluar në formë të lehta duke folur me mjekun e familjes. Një pjesë e konsiderueshme kanë pasur nevojë për një trajtim më të veçantë. Iu është dhënë një terapi ndryshe duke marrë antibiotik inramuzkulart ose intravezoz, janë kryer në shtepitë e pacientëve ose dhe në QSH këto terapi duke mbajtur distancë dhe gjithë masat e sigurisë”, tha mjekja.
Jonida Diko thotë se për shkak të frikës qytetarët hezitojnë të shtrohen në spitalet covid por një vendim i tillë nuk mbetet në dorë të tyre.
“Hezitim i momentit, por gjendja vlerësohet nga mjeku i familjes dhe një specialist më pas, më pas mjeku i familjes nese sheh që rëndohet gjendja telefonon 127, aty shkon 127 bën matjen e parametrave dhe vendos për një terapi që vazhdon në shtëpi, ose kur sheh që pacienti është me simptoma më të renduara është i detyruar ta marrë pacientin në spital”, tha Diko.
Mjekja shpjegon se një nga shenjat kryesore të pacientëve të prekur nga covid është gjendja e rënduar psikologjike, faktor ky që ndikon tek vetë ata por dhe tek familjarët.
“Ky është virus që do na prekë të gjithëve të jemi vigjilentë ta kapim situatën sa më shpejt. Të mos lëmë simptomat të agravohen. Drejtohuni mjekut të familjes për çdo simptomë, mos neglizhoni. Zbatoni rregullat”, tha mjekja.


