Vala e rritjes së çmimeve nuk ka përfshirë vetëm sektorin e hidrokarbureve, por edhe produktet e shportës, të cilat kanë njohur një rritje me 10 deri në 60 lekë.
Kështu, një litër vaj, nga 240 lekë, ka shkuar në 300 lekë; një kilogramë miell, nga 100 lekë, sot tregtohet 140 lekë. Më shtrenjtë sot kushton edhe orizi, sheqeri si dhe vezët. Çmimet e rritura në mënyrë abuzive nga kompanitë e tregtimit kanë bërë që, për disa ditë me radhë, qytetarët të mbushin sheshet në shenjë revolte.
Nën presionin e protestave, të cilat janë përshkallëzuar nga dita në ditë, Autoriteti i Konkurrencës është vënë në lëvizje. Pas hetimit të nisur për naftën, ky institucion ka njoftuar një ditë më parë se do të monitorohen edhe kompanitë e tregtimit të vajit, miellit, orizit, sheqerit dhe vezëve.
“Pas evidentimit të disa dyshimeve të arsyeshme për shtrembërim të mundshëm të konkurrencës, Autoriteti i Konkurrencës ka filluar hetimin që në datën 25.02.2022, me vendimin nr. 866 ‘Për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë’.
Ndërkohë, në zbatim të nenit 28 të ligjit nr.9121/ 2003 ‘Për mbrojtjen e konkurrencës’, nxitur edhe nga informacionet e shqetësimet e marra nga media për rritjen e menjëhershme të çmimeve për produktet e shportës, nëpërmjet urdhrit nr.190, datë 11.03.2022, dhe urdhrit nr.192, datë 11.03.2022, ka vendosur menjëherë nën monitorim subjektet të cilat operojnë në tregun e produkteve vaj vegjetal, miell, vezë, oriz dhe sheqer”, thuhet në njoftim.
NAFTA E BENZINA
Prej shkurtit, në hetim janë vënë edhe kompanitë e tregtimit të karburanteve. Në më pak se një javë, çmimi i naftës dhe benzinës në vend u rrit me më shumë se 60 lekë për litër.
Por pavarësisht kësaj, Autoriteti i Konkurrencës zgjodhi të heshtë, deri në momentin që qytetarët mbushën sheshin para Kryeministrisë.
Pas ditës së parë të protestës, ky institucion bëri një reagim të gjatë, duke justifikuar mungesën e reagimit me moskompetencën. Por kontradiktor është fakti që hetimi ka nisur qysh prej datës 25 shkurt, çka do të thotë se Autoriteti i Konkurrencës i kishte dhe i ka instrumentet për të ndërhyrë.
“Hetimi filloi që me marrjen e sinjaleve të para dhe konstatimeve se, në muajt e fundit, çmimet e karburanteve naftë dhe benzinë kishin një tendencë për t’u ngritur, pra pa pritur agravimin e situatës së ditëve të fundit. Bëjmë me dije se të gjitha kompanitë e tregtimit të karburanteve janë nën hetim dhe, për ato kompani që do të provohet se kanë shkelur dispozitat e ligjit nr. 9121/2003 ‘Për mbrojtjen e konkurrencës’, masat e Autoritetit të Konkurrencës do të jenë në përputhje me penalitetet e parashikuara”, theksohet më tej në njoftim.


