Alfred Peza
Duke dashur që të provokoj një debat sa më të gjerë, për një nga çmimet më prestigjioze që jepet për prozën shqipe, kam zgjedhur me koshiencë që të jem shumë kritik në lidhje me ecurinë e tij të deritanishme. Gjatë këtij viti, shënohet edicioni V i këtij evenimenti dhe është koha e duhur që të kemi një rishikim të asaj që është bërë mirë në katër vitet e shkuara, çfarë mund të ridimensionohet dhe si ky çmim mund t’i shërbejë më mirë qëllimit të tij, të sotmes dhe të ardhmes së letërsisë shqipe.
Emri i shkrimtarit më të madh shqiptar, mbështetja që i ka dhënë Instituti Europian “Pashko”, duke e shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme vjetore për letërsinë tonë, emri i Universitetit Europian të Tiranës dhe çeku me vlerë 10 mijë euro që e shoqëron atë, janë disa nga garancitë që mund ta bëjnë këdo të interesuar për këtë çështje, që të kërkojë më shumë.
Pavarësisht se si çdo krahasim edhe ky mund të çalojë, në kushtet shqiptare çmimi “Kadare” është një lloj “Nobeli” shqiptar. Si i tillë, gjithkush që merret me krijimtari letrare, apo që mëton të provohet në këtë lëmë, por edhe botuesit, studiuesit, kërkuesit e lexuesit, është e kuptueshme që të kenë interes të shtuar për të. Në kushtet shqiptare, të fitosh këtë çmim, do të thotë që për standardet social- ekonomike të jetës shqiptare, t’i sigurosh një autori për një vit rresht, atë që dikur njihej si “leje krijuese”. Pra, me çekun e fituar nga “Kadare”, një shkrimtar mund t’i përkushtohet plotësisht për 12 muaj me radhë letërsisë. Një luks i shfrenuar ky në kushtet e sotme të krijuesve shqiptarë.
Diskutimi për këtë temë vjen në ditët kur në Stokholm të Suedisë ka nisur stina e ndarjes së çmimeve “Nobel”. Këtë vit, ndryshe nga shumë e shumë të tjerë në shekullin e fundit, do të akordohet jo një, por 2 çmime njëherësh. Vitin e shkuar, ky çmim, për shkak të një skandali që përfshiu anëtarët e jurisë së madhe, nuk u dha. Ndërkohë që edhe një vit përpara kësaj, fituesi i “Nobelit” në letërsi ishte kantautori Bob Dylan …
Pak ditë më parë, mediat botërore i bënë jehonë lajmit të ripërkthimit të testamentit të Alfred Nobelit, nga ku burojnë të ardhurat për çmimet më prestigjioze që akordohet sot në botë, për arritjet gjeniale në shumë fusha. Testamenti thotë se çmimi “në fushën e letërsisë (të shkojë) atje ku është prodhuar vepra më e jashtëzakonshme në një drejtim idealist”. Nobeli ka shkruar se “është dëshira ime e shprehur që kur të akordohen çmimet, të mos merret në konsideratë kombësia, por çmimi t’i akordohet personit më të vyer, qoftë apo jo skandinav”.
Nisur nga ky dokument me rëndësi dhe nga praktika e disa çmimeve “Nobel” të kontestuara në disa raste si çmime politike, në disa raste si të pamerituara, e në disa të tjera se u lanë pa u vlerësuar autorë më të rëndësishëm për historinë e letërsisë botërore, mund të nxjerrim disa mësime në kushtet shqiptare. Qëllimi është që ky çmim, jo vetëm të inkurajojë, por edhe të nxisë sa më shumë shkrimtarë për të ngjitur maja të reja, për ta pasuruar letërsinë tonë dhe atë ballkanike, europiane dhe botërore mundësisht, me vepra sa më të spikatura.
Së pari, gjykoj se çmimi nuk duhet akorduar, siç thuhet nga organizatorët, thjesht dhe vetëm për t’u mundësuar autorëve botimin e një vepre në dorëshkrim. Sepse, botimet shqiptare nuk kanë vuajtur gjatë këtyre 30 viteve të fundit nga mungesa e kësaj mundësie. Krejt e kundërta, është e vërtetë: Letrat shqipe vuajnë nga një inflacion i lartë botimesh, në kurriz të cilësisë. Kushdo që ka dashur, herët ose vonë, e ka pasur apo e ka gjetur mundësinë për ta botuar veprën. S’ka fshat, qytet, hero, njerëz të njohur e të panjohur, për të cilët nuk është shkruar e nuk janë botuar libra në Shqipëri dhe kudo tjetër ku flitet, shkruhet e lexohet shqip. Ajo që na ka munguar më shumë në këtë periudhë, nuk ka qenë sasia, por cilësia e veprave letrare. Letërsia bashkëkohore shqiptare ka nevojë që të nxitet, inkurajohet dhe ndihmohet që të sjellë vepra sa më cilësore. Çmimi “Kadare” është një mundësi e mirë për këtë.
Së dyti, e vlerësoj si një qasje të gabuar faktin që çmimi përdoret si një “karrem” për të zbuluar “talentet” e reja, duke i joshur apo inkurajuar, nëpërmjet prestigjit dhe vlerës monetare. Shprehja e Bekenbauerit se “nuk ka futbollistë të vjetër dhe të rinj, por të mirë dhe të këqij”, vlen në çdo fushë të jetës ku ka garë. Në letërsi, nuk ka shkrimtarë të vjetër dhe të rinj, por shkrimtarë që bëjnë letërsi të mirë ose të keqe. Ndaj, çmimi “Kadare” mund të ndihmojë në inkurajimin e kësaj qasjeje dhe jo në të kundërtën.
Së treti, akordimi i çmimit nuk duhet parë si një “qokë”, për autorë që mund të arrijnë të triumfojnë nëpërmjet mekanizmave të lobimit, apo për shkak të emrit të tyre. Cilësia letraro-artistike e veprës, mesazhi i saj, impakti që ajo do të sjellë në botën letrare shqiptare, besoj se duhet të jenë disa nga kriteret kryesore për të vlerësuar një fitues. Jo të gjithë emrat që e kanë marrë atë deri më sot dhe as vepra e ndonjërit prej tyre, nuk ka qenë në lartësinë e këtij standardi. Çka do të thotë se jo të gjithë e kanë kaluar me sukses provën e publikut, provën e kritikës profesionale dhe të tregut, si disa prej filtrave kryesorë të vlerësimit në epokën tonë.
Së katërti, mekanizmi i përzgjedhjes, i selektimit dhe i përcaktimit të fituesit të këtij çmimi, kalon nëpër një proces paksa burokratik. Më duket e pamundur nga ana kohore dhe fizike që anëtarët e jurisë të arrijnë të lexojnë me vëmendjen e duhur 30, 40, 50 apo më shumë dorëshkrimet që dorëzohen për të konkurruar. Duhet gjetur një formulë e re për selektimin paraprak të veprave të paraqitura, bazuar mbi kritere skrupuloze, sipas modeleve më të mira që përdoren në dhënien e çmimeve nga juri të ngjashme. Kështu hap pas hapi kalohet në disa faza, derisa të përzgjidhet një “short list” veprash finaliste.
Së pesti, mekanizmi i konkurrimit duhet të jetë i shtrirë më shumë në kohë dhe hapësirë, duke i futur konkurrentët dhe veprat e tyre në provën e “makinës së të vërtetës”. Në praktikë kjo do të thotë se krahas jurisë profesionale, veprat dhe autorët të kalojnë edhe procesin e seleksionimit nga lexuesit, nga tregu, nga kritika, nga tryezat e debatit, nga mediat e specializuara, nga bota krijuese kulturore artistike etj.
Këto janë disa mendime modeste, të artikuluara në një mënyrë ndoshta pak më të troçtë se sa jemi mësuar që t’i artikulojmë në debate të këtij lloji në Shqipëri. Aq më tepër, që kemi të bëjmë me një çmim të akorduar nga një ent privat dhe jo nga paratë e buxhetit të shtetit, apo nga fonde publike. Duke besuar fort se çështjet e letërsisë dhe të botimeve në gjuhën shqipe, pavarësisht burimit të kapitalit, janë një çështje e mbarë shoqërisë, guxova të them edhe publikisht mendime që në rrethet e krijuesve, ndoshta thuhen më së shumti nëpër tavolina informale.
Duke besuar se kam për këtë qasje, edhe mirëkuptimin e kolegut dhe mikut tim të vjetër Henri Çili, që ka pasur mundësinë, dashamirësinë, idealizimin dhe vizionin për ta themeluar këtë çmim, uroj që “Kadare” të na sjellë një vlerë edhe më të madhe të shtuar për letërsinë shqipe, në të ardhmen. /Gazeta Liberale