Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ritheksoi kundërshtimin e tij ndaj ideve për korrigjim kufijsh e shkëmbim territoresh, ndërsa presidenti Hashim Thaçi, tha se individë të caktuar po tentojnë të krijojnë panik dhe paqartësi.
Ata i bënë këto komente në faqet e tyre në rrjetin facebook, një ditë pasi që ishin takuar dy herë me radhë për të diskutuar lidhur me vazhdimin e procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në dritën e reagimeve vendase e ndërkombëtare pasi që gjatë fundjavës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkuan mbështetje për një marrëveshje që do të mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.
As njëri dhe as tjetri nuk kanë dhënë hollësi se si mund të dukej një marrëveshje e tillë dhe çfarë ndryshimesh do të përfshinte. Presidenti serb e ka shpallur politikë të tij ndarjen ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në vija etnike. Presidenti i Kosovës, thotë se korrigjimi i kufijve do të nënkuptonte bashkimin me Kosovën të luginës së Preshevës, një zonë me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
Kryeministri i Kosovës shkroi të premten se Kosova “ka paguar një çmim të shtrenjtë për paqen që kemi sot dhe ne nuk duam të hyjmë përsëri në skenarë të rrezikshëm për të rifilluar një ndërhyrje të re të NATO-s. Marrëveshja Përfundimtare Ligjërisht e Obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë një hap vendimtar për sigurimin e stabilitetit dhe paqes në rajonin tonë. Njohja reciproke dhe paqja e qëndrueshme duhet të jetë rezultati i vetëm kredibil nga kjo marrëveshje. Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon”.