Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili është shprehur se çështja e Autoritetit të Dosjeve do të shkojë deri në Gjykatën Ndërkombëtare nëse është e nevojshme, duke theksuar se qëllimi ishte “goditja e Ilir Metës”, por që sipas tij “dështoi pa filluar”.
Vasili u shpreh se ky grup “vepron për qëllime politike dhe shantazhimi”, ndërsa shtoi se Prokuroria është bërë pjesë e tij duke marrë vendimin për të mos nisur hetimet.
Petrit Vasili: “Avokatit nuk iu është dhënë informacioni. Ndërkohë që ai ka të drejtë ligjore të njihet me të gjitha hapat, kur ka ardhur informacioni, kur ka hyrë, çfarë është diskutuar në Konferencën e kryetarëve, protokolli, me çfarë dokumentesh është punuar se me datën 26 dokumentet nuk ishin deklasifikuar, ishin sekret. Janë shkelje njëra më e tmerrshme se tjetra. Por bllokimi i informacionit, veprimi i këtij grupi me regji është provë asgjësuese e një faji i cili nuk mund të fshihet, manipulohet dhe s’mund t’i shpëtojë hetimit, pavarësisht nga qëndrimi si pjesë e grupit për fat të keq i Prokurorisë që ka vendosur të mos fillojë hetimet. Kjo rëndon Prokurorinë, por as nuk e fsheh dhe as nuk e mohon dot të vërtetën e shkeljeve shumë të rënda ligjore që konsumuan të gjithë me radhë nga Autoriteti deri tek Kuvendi, i cili është bërë pjesë totale e këtij grupi që vepron për qëllim politike, shantazhi për të goditur jo vetëm Ilir Metën, dështoi pa filluar, por për të goditur pluralizmin.
Të shkuarit deri në fund të kësaj çështje në të gjitha nivelet e gjykimit në Shqipëri dhe po e lypi puna deri në Gjykatën Ndërkombëtare, është mision jo vetëm në emër të qytetarëve por në emër të shtetit të së drejtës dhe funksionimit të ligjit në këtë vend.”


