Në Gjykatën e Apelit në Tiranë pritet të zhvillohet seanca gjyqësore ndaj deputetit të PD-së Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi në lidhje me skandalin “Babale”, ku në qendër ishte vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Ashtu edhe siç e kishte paralajmëruar, Salianji është paraqitur në gjykatë rreth orës 13:55 minuta. Ai shoqërohej nga kolegët e tij demokratë, Saimir Korreshi, Flamur Noka, Belind Këlliçi Luçiano Boçi, Bledion Nallbati etj.
Gjatë një takimi me strukturat e selisë blu në Korçë, ku ka bërë të qarta direktivat për protestën që do të zhvillohet para Kryeministrisë më 7 korrik, Salianji ka thënë se do jetë në gjyq, por vëmendja duhet të jetë tek organizimi i protestës. Deputeti demokrat shprehet se drejtësia në këtë vend është e penguar, e vonuar ndërsa shtoi se për çështjet nuk hetohen, s’ka përballje, por ka akuza ndaj gazetarëve dhe njerëzve që denoncojnë.
“Unë do jem aty, do jem i pranishëm në seancë ashtu siç kam bërë çdo herë tjetër. Drejtësia në këtë vend është e penguar, e vonuar, nuk hetohen, s’ka përballje por ka akuza ndaj gazetarëve dhe njerëzve që denoncojnë. Unë nesër do jem aty, por tani fokusi është te protesta, organizimi i qytetarëve. Shumica e grupit parlamentar ka shprehur qëndrimin se do jetë pjesë e protestës. Alibeaj dhe Bardhi kanë qëndrimet e veta, varet se ku e vendos objektivin dhe fokusin, secili ka arsye për të protestuar kundër Ramës. Qëndrimet e mia janë publike”, ka thënë Salianji përpara demokratëve në Korçë.
Dosja që në publik njihet si “Babalja”, nisi në vitin 2018, ku deputeti i PD-së, Ervin Salianji denoncoi nga selia blu vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Geron alias Agron Xhafaj Agron Xhafaj për trafik droge dhe shmangie të dënimit të Itali. Pas hetimeve që zgjatën disa muaj, të shoqëruara me përplasje dhe akuza e kundër akuza, Ervin Salianji është dënuar në dhjetor të 2019 nga Gjykata e Tiranës me 1 vit burg për kallëzim të rremë. Këtë dënim ai dhe Kryesia e Partisë Demokratike e konsideron politik.
Gjykata gjithashtu shpalli fajtor edhe të pandehurit e tjerë Albert Veliu (Babalja) u dënua me 3 vjet 5 muaj burg, Fredi Alizoti me 2 vjet burg ndërsa gazetari Jetmir Olldashi dënohet me 6 muaj burg, dënim që konvertohet 100 orë pune në publik. Në 9 vite opozitë Salianji është proceduar më shumë se 600 herë për protestat dhe reagimet e tij të forta në denoncime ndaj qeverisë.