Pas një viti president, Donald Trump mbajti fjalimin e tij të parë përpara senatorëve, guvernatorëve dhe popullit. Zgjati thuajse një orë dhe preku tema që nga papunësia e deri tek muri në kufirin meksikan. Ajo ç’ka na intereson është premtimi i Trump për emigracionin, specifikisht në lidhje me lotarinë e visave dhe bashkimet familjare, ose emigracionin zinxhir, siç e quan ai.
Trump prezantoi katër shtylla që do të jenë bazat e emigrimit në Shtetet e Bashkuara. Si fillim, do t’u hapë rrugën për t’u bërë shtetas 1.8 milion emigrantëve të jashtëligjshëm që janë sjellë në Sh.B.A. nga prindërit e tyre kur ishin të vegjël.
Së dyti, Trump i mëshon ndërtimit të murit në kufirin me Meksikën, kompletuar me personel.
“Shtylla e tretë i jep fund lotarisë së visave, një programi që fal green cards rastësisht, pa u bazuar në meritë, aftësi apo siguri për popullin tonë. Është kohë të shkojmë drejt një sistemi emigracioni bazuar në meritë. Një sistemi që pranon njerëz me aftësi, që duan të punojnë, që do të kontribuojnë në shoqërinë tonë, që do ta duan dhe respektojnë vendin tonë,” tha Trump.
Trump kërkon që ta zhbëjë tërësisht si program lotarinë e visave, mbi argumentat e mësipërme, vetëm se ka një problem. Asnjë nga ato që u thanë s’është e vërtetë. Lotaria e visave nuk funksionon ashtu. Miliona njerëz aplikojnë dhe disa prej tyre zgjidhen rastësisht me anë të në sistemi kompjuterik. Këtyre personave u jepet shansi të aplikojnë për një visa, nuk e marrin në dorë. Aplikantët duhet të kenë mbaruar gjimnazin ose të kenë punuar dy vite në një fushë të caktuar. Emrat e tyre kontrollohen në databaza krimi dhe terrorizmi. Me pak fjalë, i nënshtrohen një procesi të plotë vetingu, para se të “fitojnë” lotarinë.
“Shtylla e katërt dhe e fundit mbron familjen nukleare duke i dhënë fund emigracionit zinxhir. Me sistemin defektiv të tanishëm, një emigrant i vetëm mund të sjellë praktikisht një numër të palimituar familjarësh të largët. Ne kemi në plan të fokusohemi vetëm tek familjarët e afërm, duke e limituar bashkimin vetëm me fëmijë nën moshë dhe bashkëshortë. Kjo reformë është jetësore jo vetëm për ekonominë, por edhe për sigurinë dhe të ardhmen tonë,” shpjegoi presidenti.
Këtu Trump ka të drejtë. Atë që ai e quan emigracion zinxhir, të tjerë e quajnë bashkim familjar. Një emigrant i vetëm i ligjshëm mund të sjellë teze e nipër në Amerikë, me një proces që mund të zgjasë një vit e deri në një dekadë. Kjo, pasi çdo vit jepet një numër i caktuar visash.
Fjalët e presidentit mbeten fjalë deri sa bëhen ligje dhe që të bëhen ligje duhet të kalojnë një kalvar mesatarisht 250 ditë të gjatë. Duhet shkruar projektligji dhe i duhet dorëzuar personit përgjegjës në Shtëpinë e Përfaqësuesve. Më pas i referohet komitetit ose komiteteve përgjegjës, të cilët rishikojnë legjislacionin, debatojnë, ndryshojnë dhe vënë rregulla në lidhje me projektligjin.
Nga këtu, legjislacioni i riformatuar vendoset në kalendarët e Shtëpisë dhe Senatit. Të dy këto institucione debatojnë në mënyrat e tyre dhe votojnë. Nëse të dy institucionet kalojnë të njëjtin projektligj, i pasohet presidentit për ta firmosur. Nëse dy institucionet nuk kalojnë të njëjtin projektligj, i pasohet Komitetit të Konferencës për të arritur një kompromis, i cili më pas i kalohet presidentit.
Procesi është i gjatë, i komplikuar dhe në dorë të pafund njerëzve. Ç’përshkruam më lartë është një thjeshtëzim i tepruar i situatës. Duhet kuptuar që presidenti Trump nuk është i gjithëfuqishëm dhe ç’thotë ai nuk bëhet realitet me një të kërcitur gishtash. Shanset që një projektligj kaq madhor të miratohet lehtësisht janë të ulëta, madje mund të mos miratohet fare. Deri atëherë, aplikoni të qetë.


