Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e ka vlerësuar si “rrëqethëse” deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama se “çdo sulm ndaj Kosovës është sulm ndaj Shqipërisë”.
Ai shtoi se Serbia “nuk do të sulmojë askënd”.
“Sot u dëgjua nga një shtet fqinj se nëse dikush sulmon Kosovën, edhe pse nuk e di kush do të sulmonte, Shqipëria nuk do ta lejojë dhe do të jetë në atë anë.
Pas një deklarate kaq të tmerrshme, dëgjohej vetëm një heshtje e madhe, aq e fortë saqë heshtja ishte e pakëndshme”, tha Vuçiç në Presidencën e Serbisë, ku po mbahet ceremonia e Ditës së Shtetit.
“Askush nuk iu përgjigj deklaratave të tilla, imagjinoni sikur dikush nga ne ta kishte thënë këtë, do të kishit dëgjuar bubullimat e mallkimeve, fyerjeve dhe fushatave më të pista nga e gjithë bota”, shtoi Vuçiç.
Vuçiç deklaroi se Serbia do të mbrojë marrëdhëniet e saj me Evropën, por edhe se “nuk do të shkelë marrëdhëniet e saj me Rusinë apo Kinën”.
“Për sa na përket neve, nuk kemi nevojë të sulmojmë askënd dhe nuk do ta bëjmë. Ne kemi nevojë për Evropën, ndoshta jo hipokrizinë e saj, por nuk mund të bëjmë pa të”, tha Vuçiç.


