Shoqata “Çameria” dhe PDIU po zhvillon protestë para Ministrisë së jashtme për çamët e rënë.
Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU-së, tha se gjithë këto ditë ne prisnim zgjidhjen e problemeve që kishte Shqipëria me Greqinë.
“Por edhe këtë rradhë ne u informuam nga ministri i Jashtëm i Greqisë, duke mësuar se në bisedime janë diskutuar vetëm problemet e Greqisë. Është për të ardhur keq, më gjeni një rast të asaj që po ndodh në Shqipëri, ku kërkohen eshtrat e ushtarëve grekë, të cilët kanë ardhur si pushtues në Shqipëri.
Si është e mundur sot që familjarët e ushtarëve grekë nuk tërheqin eshtrat e ushtarëve në Greqi, por kërkojnë varreza të tyre në Shqipëri? Si ka mundësi që ministrit të Jashtëm shqiptar nuk i interesojnë të rënët në Çamëri?
Në bisedimet e fundit sërisht avancoi axhenda greke dhe jo ajo shqiptare”, tha Idrizi, duke shtuar se ne prisnim nga kreu i diplomacisë shqiptare zgjidhjen e problemeve tona me Greqinë dhe jo zgjidhjen e problemeve që mund të kenë grekët me Shqipërinë.
/AlpeNews.al/



