Ministri i jashtëm Ditmir Bushati i ka cilësuar sulme artificiale të sponsorizuara nga opozita, ato që prej ditësh janë kryefjalë e zhvillimeve në vend mbi kriminalitetin.
Ndryshe nga qeveria e shkuar që fshihte krimin, ne e pranojmë dhe do të luftojmë deri në fund për ta ç’rrënjosur atë, shtoi numri një i diplomacisë.
Bushati: Po kthehemi tek siguria, meqë është kthyer temë e ditës, në disa raste krejt artificialisht e sponsorizuar nga opozita. Dua të them që qeveria shqiptare dhe mazhoranca e vendosur për t’i shkuar kësaj beteje deri në fund dhe për ta fituar luftën ndaj krimit të organizuar sepse në fund të fundit, kemi të bëjmë me një mazhorancë që e njeh dhe nuk e fsheh si fenomen.
Por Bushati i ka qëndruar larg përmendjes drejtëperdrejtë të emrit të kolegut Tahiri, duke u mjaftuar me këtë përkufizim, e më pas ka vijuar fokusin tek zhvillime të tjera që kanë të bëjnë me qeverisjen në këtë 4 vjeçar.
Krimi sot në Shqipëri është çeshtje dite, pasi e tillë po prevalon situata që pas akuzave ndaj ish ministrit të brendshëm Sajmir Tahiri, i cili nga prokuroria është kërkuar të shkojë pas hekurave, e të hetohet thellësisht mbi përfshirjen e tij në trafikun ndërkombëtar të drogës.


