Studentët e Universitetit të Tiranës kanë afat deri më 10 nëntor të këtij viti për të aplikuar për bursë studimi për semestrin e dytë të vitit akademik 2017-2018. Ky është njoftimi i publikuar ditën e djeshme në faqen zyrtare të këtij universiteti ku bëhet thirrje për aplikim. Në kuadër të programit Erasmus +, të interesuarit që plotësojnë kriteret mund të përfitojnë 3 muaj studime në Universitetin Saint-Louis në Bruksel, Belgjikë. Bursat do të përfshijnë kompensim mujor në vlerën 800 euro për studentët si dhe kostot e udhëtimit në varësi të distancës midis universitetit pritës dhe atij të origjinës. Të gjithë kandidatët që do të përzgjidhen fitues, nuk do të paguajnë asnjë tarifë shkollimi dhe ndërkohë do të vazhdojnë të shlyejnë tarifat në universitetin e vendit të tyre. Këto bursa synojnë shkëmbimin e studentëve për 3 muaj studimi në nivelin Bachelor apo Doktoraturë. Kandidatët e interesuar për bursa në nivelin Bachelor duhet të dorëzojnë këto dokumente pranë Rektoratit të UT-së: kurrikulumin (CV) në gjuhën angleze apo frënge, kopjen e pasaportës, vërtetimin e studentit, listën e notave, dëshminë e mbrojtjes së gjuhës angleze apo frënge në nivelin B1, një letër motivimi si dhe dokumentin “Learnig Agreement”. Ndërsa aplikantët për bursa në nivelin Doktoraturë, bashkangjitur me dokumentet e sipërpërmendura duhet të dorëzojnë edhe diplomën e listën e notave për ciklin Bachelor si dhe diplomën Master me listën e notave të përkthyera në gjuhën zyrtare anglisht apo frëngjisht.
Aplikimi
Dokumenti Learning Agreement është një kontratë mes universitetit të origjinës së aplikantit dhe përcakton lëndët që do të zhvilloni në universitetin pritës. Aplikantët duhet të kenë kujdes dhe të plotësojnë vetëm seksionin e parë “Before the mobility”, ku në tabelën A gjenden të përcaktuara lëndët dhe kreditet që do të marrin në universitetin pritës, ndërsa tabela B informon studentët se cilat prej lëndëve që do të zhvillojnë në Universitetin e Brukselit do të njihen në UT, pas periudhës së shkëmbimit. Për këtë arsye, kandidatët duhet të përzgjedhin të kryejnë në Universitetin Saint-Louis po ato lëndë që zhvillojnë në fakultetin në Shqipëri, e në këtë mënyrë lëndët dhe kreditet do të njihen nga institucioni arsimor i origjinës. Nëse studentët dëshirojnë të shkojnë në Belgjikë vetëm për hulumtim, atëherë duhet ta përcaktojnë paraprakisht këtë në dokumentin e Learning Agreement. I gjithë dokumentacioni për aplikim për bursa studimi duhet të dorëzohet dorazi në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, pranë Drejtorisë së Komunikimit si dhe të skanuara përmes postës elektronike.