Një punëtor 38 vjeçar shqiptar u arrestua nga karabinierë e Villa Verucchio, pasi në banesën e tij u gjet një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike.
Shqiptari, i cili jetonte prej vitesh në provincën e Riminit, kishte precedentë të mëparshëm në fushën e lëndëve narkotike.
Shqiptari ishte pikasur duke shkuar në vendet që frekuentoheshin nga përdoruesit e lëndëve narkotike. Pas kësaj, prokuroria lëshoi një urdhër për kontrollin e banesës ku jetonte.
Mëngjesin e së martës, policia trokiti në derën e 38 vjeçarit, i cili i përshëndeti dhe me vetëbesim është vënë në dispozicion të tyre.
Problemet, megjithatë, filluan kur policia zgjeroi kërkimet, duke gjetur fillimisht 1 kg marihuanë në një kasolle. Kontrollet e mëtejshme kanë zbuluar një sasi thuajse të ngjashme. Rreth 1.2 kg marihuanë u gjet në pjesën e papafingos.
Nëse do të shitej në tregun me pakicë, shqiptari do të fitonte më së paku 15 mijë euro. Por, problemet nuk u mbyllën këtu për shqiptarin, pasi policia gjeti edhe 30 fishekë, 12 prej të cilëve në mënyrë të paligjshme.
I gjithë materiali u kap ndërkohë që shqiptari u arrestua dhe masa e sigurisë ndaj tij do të jepet të mërkurën (6 mars).


