Britania e Madhe ka sanksionuar thjeshtrën e Sergei Lavrov , si pjesë e një grupi të ri sanksionesh ndaj një vargu “oligarkësh, biznesesh dhe banditësh të punësuar” rusë.
Ajo është Polina Kovaleva, thjeshtra e ministrit të Jashtëm rus. 26-vjeçarja e diplomuar në Imperial College, jeton në një shtëpi prej katër milionë paund në Kensington.
Para se ajo të blinte këtë banesë të shtrenjtë, jetonte në Holland Park, në perëndim të Londrës, në një apartament që është në pronësi të ambasadës ruse.
Të dhënat tregojnë se ambasada ukrainase aty pranë pretendonte se Rusia ia kishte dhënë gabimisht pronësinë asaj. Ndërsa tani, e reja jeton në një apartament që thuhet se e ka blerë 4.4 milionë paund në vitin 2016, kur ishte vetëm 21 vjeç.
Banesa është pa hipotekë dhe nuk dihet ende se kush e ka paguar atë. Prona në fjalë ka një pishinë, palestër, spa, kinema, dhomë lojërash dhe pamje nga Kensington dhe Holland Park.
“Daily Mail” shkruan se ajo jeton me një burrë, i cili besohet të jetë partneri i saj. Ky i fundit thuhet gjithashtu se ka 10 për qind të aksioneve në kompaninë e investimeve që Polina drejton tani.
Ndërkohë nëna e Polinës raportohet të jetë Svetlana Polyakova, 51 vjeç, një anëtare e fuqishme e Ministrisë së Jashtme ruse. Sipas medieve të huaja, ajo shoqëron Lavrovin në çdo udhëtim jashtë vendit dhe ka pasur një lidhje që nga fillimi i viteve 2000. Flitet se ajo është gruaja jozyrtare e Lavrov.
Zyra e Jashtme e Britanisë ka pohuar se shënjestrimi i Polinës “dërgon një sinjal të fortë se ata që përfitojnë nga shoqërimi i atyre që janë përgjegjës për agresionin rus janë në objektin e sanksioneve tona”.
Por jo vetëm kaq, pasi sanksionet për Polinën do të jenë edhe në bizneset që ajo zotëron apo kontrollon. Gjithashtu do të parandalojnë që t’i jepen para Polinës ose t’i jepen për përfitimin e saj.






