Zv/Guvernatori i Bankës së Anglisë, Jon Cunliffe, ka thënë se paundi mund të pësojë rënie të madhe në rast se Britania del nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje.
Cunliffe është shprehur se valuta po nxitet nga negociatat me Europën dhe se vlera aktuale reflekton shumë rezultate të mundshme. Pra, thënë ndryshe: Kjo nënkupton se priten luhatje të mëdha.
“Ndërkohë që rrugëtimi i Brexit bëhet i dukshëm dhe i qartë, kursi i këmbimit do të pësojë lëvizje të mëdha”, është shprehur zv/ Guvernatori i Bankës së Anglisë.
Bisedimet që u zhvilluan ditën e mërkurë dështuan që të sillnin një dakordësi në Bruksel.
Jo më kot kryeministrja Theresa May po konsideron zgjatjen e periudhës së tranzicionit pas daljes në muajin mars.
Liderët e Bashkimit Europian kanë deklaruar se nuk është bërë progres i mjaftueshëm deri më tani, në mënyrë që të arrihet marrëveshja e divorcit në nëntor. Ndërkohë që, zv/guvernatori përsëriti se Banka e Anglisë nuk shënjestron kursin e këmbimit.
Ai tha se vlera e paundit ka shumë ndikime nga objektivi i arritjes së inflacionit në 2%.
Paundi ka ndjekur zhvillimet e Brexit që prej referendumit të vitit 2016 dhe pati rënien më të madhe pas rezultatit të atij votimi. Zhvlerësimi rriti çmimet e importit dhe fryu inflacionin për një periudhë thuajse 2-vjeçare.
Aktualisht, valuta është në rënie me 12% që prej qershorit 2016, ku britanikët votuan për të dalë nga Europa.


