Qeverisë britanike i mungon vullneti dhe vendosmëria politike për të negociuar daljen nga Bashkimi Europian.
Në një artikull për gazetën angleze, “Sunday Times”, ish-ministri i kabinetit, Dominik Rab, tha se ekzekutivi po i nënshtrohet presionit ndërkombëtar pa menduar për arritjen e një marrëveshjeje në interes të vendit.
Ai tha se Londra nuk duhet kurrsesi të pranojë ngritjen e një kufiri doganor në Irlandën e Veriut, përndryshe duhe të braktisë negociatat me BE-në dhe të mendojë afatgjatë për të mbrojtur ekonominë nga çdo trazirë e mundshme.
Ish-zyrtari britanik, së bashku me katër ministra të tjerë, paraqitën dorëheqjen këtë javë pasi nuk pajtoheshin me propozimin e qeverisë për Brexit.
Ndërkohë, kryeministrja e vendit, Tereza Mej, tha të dielën se sado që lidershipi i saj është vënë në rrezik prej marrëveshjes, ajo do të vazhdojë të kërkojë mbështetjen e të dy krahëve politikë për aprovimin e saj.
Kryetari i Partisë Laburiste ka theksuar se asnjë nga 257 anëtarët e tij në parlament nuk do e votojnë marrëveshjen.
Sipas tij, përveç problemit me kufirin, marrëveshja nuk garanton të drejtat e shtetasve britanikë dhe ka një faturë mjaft të lartë që i duhet shtyrë unionit.
Parlamenti anglez do ketë mundësinë të shprehet për marrëveshjen e propozuar pasi ajo të miratohet nga Bashkimi Europin të dielën tjetër, më 25 nëntor.