Një ngjarje e pazakontë ndodhi mëngjesin e djeshëm në fshatin Domje të Tiranës, aty ku prej vitesh jeton familja e gazetares së kronikës së zezë, Klodiana Lala. Banesa e prindërve të saj, ka përjetuar momente terrori, pasi rreth orës 03:00 të mesnatës persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi, banesën e familjes së gazetares Lala.
Teksa e kanë parë veten përballë plumbave të automatikut, familjarët kanë njoftuar Klodiana Lalën, duke i pohuar se çfarë kishte ndodhur. Gjëja e parë që ka bërë familja pasi banesa është qëlluar me armë është shpërngulja e pjesëtarëve të familjes për tek xhaxhai, dhe më pas njoftimi i policisë.
Efektivë të komisariatit nr.5 në Tiranë, kanë shkuar me shpejtësi të madhe në vendgjarje, ndërkohë interes të veçantë ka treguar dhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa dhe Prokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj. Kjo e fundit ka angazhuar një prokuror ku së bashku me disa nga oficerët e policisë po koordinojnë veprimet për të zbardhur ngjarjen e rëndë.
Mësohet se ministri Xhafa i ka siguruar mbrojtjen familjes së gazetares dhe vetë asaj, ndërkohë ka premtuar se ngjarja do zbardhet. E kontaktuar në telefon nga “Shqiptarja.com” gazetarja Lala tha se:
“…e gjitha ka ndodhur për shkak të detyrës time si gazetare. Unë nuk kam asnjë konflikt familjar dhe asnjë konflikt personal dhe këtë e them me bindje. Sulmi ndaj familjes time, lidhet vetëm me profesionin që unë kam…”.
Në mbështetje të Klodiana Lalës janë vendosur të gjithë. Solidaritet me të kanë shprehur kolegë gazetarë, politikanë, aktivistë të shoqërisë civile, etj. Ndërkohë dje në orën 19:00 përballë kryeministrisë është thirrur, përmes rrjeteve sociale, një tubim në shenjë solidariteti me gazetaren Lala.