Shqiptarët janë ngritur sërish në protestë, në shenjë kundërshtie për rritjen e çmimeve. Ashtu siç u njoftua dhe në rrjetet sociale, tubimi në kryeqytet nisi në orën 11:00, ku qytetarët si fillim u mblodhën në sheshin Skenderbej dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë. Lajtmotivi i protestës së sotme është ‘boll na vodhët!”, që do të prijë protestën e sotme, që thuhet se do të zgjasë.
Siç shihet edhe nga pamjet që News24 transmeton live, pjesëmarrja e protestuesve është shumë e madhe.
Kjo është protesta e 4 kombëtare, teksa pritet që qytetarë nga i gjithë vendi të marrin pjesë. Prej të mërkurës qytetarët kanë dalë në protesta nga Veriu në Jug, për rritjen e çmimit të karburantit, por edhe rritjes së çmimit të të gjitha produkteve ushqimore dhe taksave.
Protesta nisi në Shkodër, ku shoferët bllokuan lëvizjen në urën mbi Bunë, më pas në Tiranë, para Kryeministrisë, ndërsa u përhap dhe në rrethe të tjera, si Lushnjë, Devoll, Korçë, Mirditë, Laç, Berat, Tepelenë, etj. Një numër i madh forcash policie është planifikuar të jenë sot në terren për të ruajtur rendin dhe qetësinë. Policia iu ka bërë thirrje protestuesve të mos bllokojnë rrugët.













