Në një kohë kur opozita ka bojkotuar seancën e sotme plenare, ndërsa përfaqësohen nga dy krerët e grupeve parlamentare, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili, këta dy të fundit kërkojnë rivotim të ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar. Gjatë fjalës së tij Vasili tha se vota e deputetit të LSI-së Vangjel Tavo është manipuluar, të njëjtin qëndrim që mbajti edhe Spaho.
Sakaq, në kundërsulm u hodh kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla. Ky i fundit tha se nuk bëhet fjalë për asnjë manipulim me votat. Ai tha se deputeti i pavarur Robert Bitri ishte pajisur me një karton, që ka rezultuar të jetë i Tavos.
“Nga ana e PS nuk ka pasur asnjë deputet që të ketë votuar në emër të një deputeti tjetër. Sikurse për transparencë të opinionit publik, deputetit të pavarur në vendin që ai voton, i është dhënë një kartë. Kamerat e Kuvendit ta hetojnë. Nëse LSI ka detyrim për të bojkotuar, s’ka të bëjë me votimin. E drejta e Bitrit nuk mund ti hiqet për të votuar. Çfarë dhe kush fshihet pas këtij skenari për të prishur votimin e ditës së enjte, këtë e kuptojnë të gjithë”, tha Balla. Ndërkohë kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se sot ishte njohur me kërkesën e opozitës për rivotim të ligjit, me pretendimin se është vjedhur vota e tyre.


