Bllokohet një ngarkesë prej 55 ton “miell gruri”.
Trupa inspektuese e DRAKU, Kukës gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën Doganore Morinë evidentuan 2 subjekte të cilët do të fusnin në Republikën e Shqipërisë produktin “miell gruri” me origjinë nga Kosova dhe Serbia. Konkretisht, për ngarkesën 30 ton “miell gruri” nga Kosova me nr.loti 06, pas analizave të kryera nga laboratori i DRAKU, Durrës ky produkt rezultoi me nivelin e proteinës më të ulët se ai i deklaruar në dokumentacion dhe më i ulët se norma e lejuar për prodhim buke.
Konkretisht sipas ekzaminimeve laboratorike niveli i proteinës rezultoi të ishte 11.37 % ,11.44% dhe 11.5%, ndërkohë që në fletë analizën që shoqëron produktinte, niveli i proteinës është shënuar 12.08% kurse në ambalazhin e produktit është max 13%. Ndërsa për ngarkesën 25 ton “miell gruri” nga Serbia produkti nuk kishte përputhshmëri me dokumentacionin shoqërues.
Pra, raport analiza nuk ka nr.loti, date prodhimi/skadimi që ta lidhi me produktin 25 ton miell gruri. Për më tepër niveli i proteinës së deklarur në raport analize(12.74%) është i ndryshëm nga ai që shënohej në ambalazh të tyre (9.5%). Menjëherë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bëri bllokimi e ngarkesës me sasi 55 ton bazuar legjislacionit në fuqi dhe do të ndjek procedurat doganore për kthimin në origjinë.