Një tjetër shqetësim vjen nga biznesi për zhvlerësimin e shpejtë të euros gjatë këtyre muajve. Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike të Shqipërisë deklaroi dje në konferencën për shtyp se rënia e euros po i dëmton, për shkak se ky sektor operon me eksporte. Presidenti i Shoqatës së Bimëve Mjekësore, Filip Gjoka, kërkoi që qeveria të ulë tatimfitimin për të kompensuar humbjet nga rënia e euros.
”Sektori i bimëve mjekë- sore dhe aromatike ka një impakt të rëndësishëm në ekonominë shqiptare me rreth 45 milionë dollarë eksporte në vit dhe 90.000 individë si grumbullues, fermer, përpunues, eksportues të punësuar kryesisht në zonat rurale, duke ndikuar ndjeshëm në uljen e papunësisë në këto vende. Ne jemi sektori i vetëm në vendin tonë që realizojmë eksporte direkte si produktet e bimëve mjekësore dhe aromatike në tregun e huaj europian dhe atë amerikan. Monedha europiane euro, krahasuar me lekun ka arritur pikën më të ulët të këmbimit që nga viti 2008. Rënia e euros në kuotën e 126.8 lekëve, nga 139 — 140 që ishte para 5- 6 vitesh, ka dhënë e vazhdon të japë ndikime mjaft negative për bilancet e sipërmarrjeve që punën e të ardhurat e tyre i kanë të mbështetura në eksportet e produkteve të krijuara. Kuptohet se mbiçmimi i euros ka ardhur nga një stabilitet i rritjes ekonomike, nga rritja e investimeve të huaja, nga remitancat që vijnë nga emigrantët, të hyrat nga vizitorët e turistët etj.”, tha Gjoka.
Kreu i Shoqatës, Filip Gjoka, i kërkoi qeverisë uljen e tatimfitimit. “Nga qeveria shqiptare, Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë si dhe Drejtorive të Përgjithshme të Regjimit Fiskal kërkohet që për bizneset eksportuese të mallrave e shërbimeve, humbja që vjen nga ky ndryshim i valutave të huaja, të kompensohet nga buxheti i shtetit në formën e uljes së tatimfitimit ose në një formë tjetër të arsyeshme për t’i dhënë frymë këtij sektori kaq të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, u shpreh Gjoka.