Kosova dhe Serbia, si dy shtete të dalë prej një lufte e cila solli viktima të shumta, kishin shumë tema të pazgjidhura. Për t’a bërë më të lehtë dialogun drejt një zhidhjeje nevojitej një ndërmjetësues nga arena ndërkombëtare.
Përfaqësuesi i cili do të ndërmjetësonte këto bisedime do të ishte nga BE-ja, si destinacioni i përbashkët i dy kombeve.
Fillimisht bisedimet ndërmjet dy shteteve, u planifikuan të ishin vetëm teknike kurrsesi politike. Kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi shprehej: “Bisedimet Kosovë-Serbi janë vetëm teknike dhe si të tilla do të mbeten”.
Kosova kërkon njohjen nga Serbia dhe kjo e fundit anëtarësimin në Bashkimin Europian.
E gjithë kjo maratonë e bisedimeve të shumta teknike e më pas politike, filloi në marsin të vitit 2011, atëherë kur e zgjedhura nga shteti i Kosovës u vendos Edita Tahiri kurse pala serbe përfaqësohej me Borko Stefanoviç.
Këto takime në Bruksel prodhuan edhe disa marrëveshje të cilat u ndërmjetësuan nga David Cooper. Në kuadër të këtyre takimeve, u arritën marrëveshjet, prej tyre ajo edhe për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, e njohur si marrëveshja e IBM-it.
Pas kësaj marrëveshje, bisedimet të cilat deri atëherë u quajtën teknike, filluan të marrin ngjyrimet politike. Pasi që temat për të cilat do të bisedohej kërkonin përfaqësim më të lartë, praktikisht në nivel kryeministrash.
Kjo bëri që drejtimet e “anijeve” mes palëve negociuese ti merrnin, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daciç. Negociatorët u zhvilluan në 10 raunde.
Më 19 prill të vitit 2013 në Bruksel, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Marrëveshja u konsiderua historike për faktin sepse ishte e para e llojit të vet.
Kosova nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve fitoi një derë të vogël për “Marrëveshjen e Stabilizim Asocim” me Bashkimin Evropian kurse Serbisë u janë ofruar mundësitë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje u përcoll me kundërshtime të mëdha në Kosovë. U deshën të më shumë se 2 muaj që ajo të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.
Faza e fundit, ndoshta edhe ajo më intensivja do të ishte nën dirigjimin e Federica Mogherinit. Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe për Siguri të Bashkimit Evropian, do të merrte përsipër negociatat.
Në 04/12/2017, kryediplomati Behgjet Pacolli u shpreh se Serbia mos ta thotë, por të veprojë si ta kishte njohur Kosovën.
“Serbia nuk duhet të thotë nëse e njeh Kosovën, por duhet të veprojë sikur ta ketë njohur atë”.
Në 20/06/2018 Hashim Thaçi deklaroi se kishte ardhur koha për një marrëveshje historike me Serbinë.
“Qëllimi ynë në këtë fazë përfundimtare është arritja e fazës finale me një marrëveshje të detyrueshme ligjore për të dyja palët. Jam i bindur se ka ardhur koha që pas bisedimeve, në një mënyrë apo tjetrën të nënshkruhet një marrëveshje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes së cilës do të përfundonte raporti i dhimbshëm mbi 100-vjeçar”, tha Thaçi.
Në 18/07/2018 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i dhanë fund një raundi bisedimesh në një përpjekje të re për të siguruar një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja palëve. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha pas bisedimeve se takimi ishte ishte i shkurtë por shumë i rëndë.
“Ka qenë takim i shkurt dhe jo i lehtë, ka qenë më i rëndi që kemi zhvilluar në këto gjashtë vjetët e fundit, prandaj do të punojmë maksimalisht që të arrijmë marrëveshjen përfundimtare”,tha ai duke nënvizuar se ende shpreson në përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Bisedimet ende qëndrojnë pezull në pritje të rinisjes në muajin Shtator.
Përgatiti: AlpeNews.al






