Princ i Kurorës së Abu Dabit, Sheikh Mohamed bin Zayed al Nahyan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin Edi Rama.
Siç raportojnë mediat e Emirateve të Bashkuara Arabe, gjatë kësaj telefonate Lartësia e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Princi i Kurorës së Abu Dabit dhe Zëvendëskomandanti Suprem i Forcave të Armatosura të Emirateve të Bashkuara Arabe i shprehu ngushëllime Kryeministrit Rama për ndarjen nga jeta të nënës së tij, Aneta Rama.
Kryeministri shqiptar e falenderoi Sheikun Muhamed për shprehjen e e ndjenjave të tij të ngrohta dhe miqësore. Rama gjithashtu shprehu besimin për zhvillimin e mëtejshëm dhe përparimin e marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve mike.
Nëna e kryeministrit Edi Rama, Aneta Rama, ndërroi jetë një javë më parë në moshën 82 vjeçare.
Aneta Rama ishte një ndër mjeket e para stomatologe në Shqipëri. Në 2018-n, ajo u vlerësua me çmimin “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare”, për kontributin e veçantë të saj në themelimin e stomatologjisë shqiptare.