100 turistë vendas dhe të huaj vizituan monumentin e natyrës “Ishulli i Zvërnecit”, pjesë e peizazhit të mbrojtur “Vjosë-Nartë”.
Drejtori i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura, Vlorë, Nexhip Hysolakoj, tha për ATSH-në se “të shoqëruar nga punonjës të ADZM Vlorë turistët realizuan një shteg mjedisor brenda ishullit ku u njohën me vlerat natyrore dhe kulturore të tij”.
“Aktiviteti vijoi më pas në lagunën e Nartës, e cila renditet e dyta në Shqipëri për nga rëndësia dhe shpendët e ujit”, tha Hysolakoj.
Sipas tij, turistët ushtruan birdwatching dhe u njohën me llojet e shpendëve të rrallë, flamingo dhe pelikani kaçurrel.
Laguna e Nartës ndodhet në veri-perëndim të qytetit të Vlorës, rreth 14 km larg saj dhe ka një sipërfaqe prej rreth 42 km 2. Ndahet nga deti Adriatik nga një rrip i ngushtë toke ranore, që përbëhet nga duna rëre dhe plazhe të vegjël pa bimësi të dendur.
Në këtë lagunë bënë pjesë dhe Zvërneci, me ishullin e vogël të tij, ku veç të tjerave dallon nga Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e vogël dhe ku mund të shkohet me një urë të ngushtë këmbësorësh prej druri.
Laguna e Nartës shpesh herë vizitohet nga flamingot, zogjtë me qafën e hollë dhe të harkuar dhe me këmbët e hijshme.