Rrugët e vendit vijojnë të përgjaken pafundësisht, duke shënuar vetëm brenda një jave plot tetë viktima.
Vetëm para pak minutash, një aksident tragjik ndodhi në aksin rrugor Burrel –Komsi, ku dy persona kanë mbetur të vdekur dhe dy të tjerë të plagosur.
Mësohet se makina përplasi një person me motor më pas mjeti devijoi drejt trotuarit dhe përplasi 3 këmbësorë.
Viktimat janë Gentian Hani 28 vjeç, dhe Alfred Balla 35 vjeç. Ende po punohet për shkaqet e aksidentit.
* * *
Në Shqipëri është shtuar ndjeshëm numri i aksidenteve në dy muajt e parë të vitit, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku rekordin e mban janari.
Ndërsa numri i vdekjeve për dy mujorin është ulur me 15.4%, por si rrjedhojë e janarit, ndërsa në shkurt numri i të aksidentuarve u rrit me 17.6%, ndonëse ka pasur më pak aksidente, por që kanë rezultuar fatale.
Sipas të dhënave të raportuara nga INSTAT, numri i të aksidentuarve në dymujorin e parë 2018, është rritur 1,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në muajin Shkurt 2018 numërohen 113 aksidente rrugore, nga 117 aksidente të ndodhur në Shkurt 2017, duke u ulur me 3,4 %. Por vihet re se rreth 70% të numrit të aksidenteve shënohen nga të rinjtë nga 16 deri 35 vjeç (tabela nr. 2) dhe një pjesë të fajit e kanë edhe viktimat, që në disa raste nuk zbatojnë sinjalistikën, rregullat e qarkullimit, ecjen nëpër vendet e përcaktuara, mbikalime, etj.
19 shkurt: Kujtojmë se një nga aksidentet më të renda ishte ai i Shkodrës, ku thuajse u shua një familje e tërë. Babai, Edmon Preka dhe dy vajzat bashkë me foshnjen, u ndanë nga jeta pasi nuk i perballuan dot plagët e marra nga aksidenti tragjik.
Rastet:
21 shkurt: Një aksident i rëndë ka ndodhur në hyrje të Maminasit në autostradën Tiranë-Durrës.
Një automjet tip ‘Benz’ me targa AA 060 SP ka përplasur nga mbrapa një taksi me targa me targa DR 475 TX dhe si pasojë kanë ndërruar jetë drejtuesi i mjetit tip Taksi Bujar Agalliu 60 vjeç, banues në Durrës dhe pasagjerja, shtetësia Elena Abdillari, 23 vjeçe, banuese në Tiranë.
Aksidenti dyshohet të ketë ndodhur si rezultat i shpejtësisë së lartë. Gjatë përplasjes taksia ka devijuar dhe është futur në një pikë karburanti që ndodhej aty pranë. Në mjetin tip ‘Benz’ nuk është gjetur asnjë person.
24 shkurt: Aksident tek Mali i Robit, Dy persona humbën jetën, ndërsa u plagos edhe një fëmijë i mitur.
Aksidenti tragjik në Malin e Robit i mori jetën 34-vjeçares Edlira Pisku dhe 69-vjeçarin Xhemil Pisku, nuses dhe vjehrrit, ndërkohë që la të plagosur djalin 8-vjeçar të Edlirës.
Nusja Edlira Pisku dhe vjehrri Xhemil Pisku së bashku me djalin e vogël 8-vjeçar, po prisnin në stacion për t’u nisur për në Berat, kur janë goditur nga automjeti i cili drejtohej nga 40-vjeçari Halit Koka, nga Durrësi, i ndaluar nga policia.
Bilancit tragjik të kësaj jave i shtohen edhe 12 persona të plagosur, si dhe 64 makina të aksidentuara.
Në Shkurt 2018, numri i të aksidentuarve është 148 persona nga 159 që ishte një vit më parë, duke u ulur 6,9 %.
Në muajin Shkurt 2018, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 20 persona, nga 17 që ishte një vit më parë për të njëjtën periudhë, duke u rritur 17,6 %. Në dymujorin e parë 2018, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore ëshë ulur 15,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në Shkurt 2018, aksidentet rrugore, në 85,0 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup mosha 25 – 35 vjeç, duke zënë 32,7 %, duke u ulur me 5,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në dymujorin e parë 2018, aksidentet rrugore, në 20,6 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe numri i të aksidentuarve sipas sjelljes së këmbësorit është rritur 30,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
AlpeNews.al