Rrëfimi i bijës së Sami Kokës, koloneli që u dënua me 30 vjet burg nga komunistët.
“Bedri Spahiu kundër Sami Kokës, në gjyqin special: E dimë që ke qenë i ndershëm, ke punuar drejt, por nuk ta falim kurrë pse nuk erdhe me ne…”
Pranverën e vitit 1945, në sallën e teatrit kombëtar, që dikur quhej Savoja, po vihej në skenë një prej tragjedive shqiptare, të gjysmës së dytë të shekullit të shkuar. Nuk ishte shfaqje e vënë në skenë nga artistë, por një ngjarje e vërtetë që do të ishte nisje e një kalvari të gjatë vrasjesh, burgosjesh e internimesh, për një pjesë të madhe të popullit shqiptar. Drama e madhe ishte se ky kalvar nuk po shkaktohej nga asnjë pushtues. Disa shqiptarë të mbrapshtë kishin vendosur të shkatërronin një pjesë të madhe të elitës politike e intelektuale, të Shqipërisë së asaj kohe. Komunistët kishin dy vite që kishin marrë pushtetin, dhe gjyqi special ishte një ndër goditjet e para të tyre, ndaj atyre që i kishin shpallur “armiq të popullit”. Bëhet fjalë për periudhën mars-prill 1946, ku u ndëshkuan rreth 45 intelektual të shquar të Shqipërisë, një ndër ta ishte edhe kolonel Sami Koka.

Rrëfim për ditën e gjyqit të babait
Nisi gjyqi i parë special, ku do të dënoheshin të gjithë ish-funksionarët e lartë, ndërmjet tyre edhe babai im. Gjyqi special zhvillohej në sallën e teatrit. Të burgosurit i sillnin nëpër kamionë të hapur dhe të lidhur me zinxhirë. Rruga nga burgu i ri ku ishin vendosur, e deri tek teatri, ishte e bllokuar me partizanë dhe pas tyre, ishte populli që priste me kureshtje… atje ishim edhe ne pjesëtarët e familjeve të të burgosurve. Unë dilja nga shkolla dhe zija vend tek dritaret e ministrisë, me qëllim që të shihja babanë në kamion e ai të më shihte.
Kur erdhi dita që do të dilte babai në gjyq, i thashë avokat Totozanin që e kishim mik të shtëpisë, që të më linte të hyja në gjyq. Më tha se kishte një ftesë dhe ma dha, sepse në sallën e gjyqit duhet të kishte një ftesë për të hyrë. E mora ftesën. Ditën tjetër, sa dola nga shkolla me libra në dorë, ftesën e kisha në xhep. Më kërkoi roja ftesën dhe unë ia dhashë, si të isha sekretare partie dhe më la e nuk e zgjati më tej. Hyra brenda dhe pashë babanë. Nuk kishte vend ku të ulesha e po rrija në këmbë. Nisën ta pyesin babanë. Ishte kryetar gjyqi, Koçi Xoxe dhe prokuror Bedri Spahiu. I thotë Bedri Spahiu, babait tim: Ti ke firmosur për ardhjen e Italisë në Shqipëri…

Kur Bedri Spahiu i tha babait se kishte qënë bashkëpunëtore me italianët e shpjegoi këtë dhe dëshmitarët e mbështetën Sami Kokën, babanë tim.
Pastaj Bedri Spahiu i tha: Sami Koka, sa oficerë e ushtarë do të kishin ardhur në mal po të kishe ardhë edhe ti….?
Sami Koka: Unë nuk kam qenë kurrë revolucionar, por s’kam penguar askënd të shkojë në mal. Kurrë nuk kam penalizuar askënd që kishte mendime si tuajat, apo si zogist, apo ballist. Madje, unë iu kam thënë ushtarakëve se kush kërkon të shkojë partizan në mal, unë e rregulloj, dhe paratë e rrogës, i shkojnë familjes. Për këtë, i dolën dëshmitarë disa njerëz. Më pas, Bedri Spahiu i tha babait: E dimë që ke qenë i ndershëm, ke punuar drejt, por nuk ta falim kurrë pse nuk erdhe me ne.
Atë ditë që u dha vendimi, isha në shkollë. Kur u ktheva në shpi, pashë që kishin ardhur hallat dhe kushërinjtë. Mamaja më del përpara: Mami, sa u dënua babai? 30 vjet… nisa të qaj… dhe pastaj, mamaja më tha: Pusho, mos qaj, se ishte dënuar më parë me pushkatim, kështu që shpëtoi nga vdekja…
Përndjekja
Pasi u dënua babi, vazhduan persekutimet. Na hoqën sërish nga shtëpia, dhe shkuam në një shtëpi tjetër, te halla që sapo kishte ardhur nga Italia. E kishte shtëpinë te rruga e ambasadave. Ne rrinim në kat të parë, halla rrinte lart… unë, bashkë me vëllanë tim Gencin. Pubja (Pëllumbi) vëllai i madh, kishte ikur në Itali. Ne vazhdonim jetën normale dhe të gjitha hallet dhe sikletet, i mbante mamaja jonë.
Kur kuptuam se do na sekuestronin mallin, rrobat, nisëm t’i shpërndajmë nëpër farefis. Dhomën e bukës stil… e çuam tek Vesel Pitarka. Dhomën e bukës, bufe kontrabufe… 
Mamaja përpiqej që të na mbronte mua dhe Gencin, nga çfarë po ndodhte, përpiqej të na e bënte jetën sa më të thjeshtë. Përpiqej sa mundej të na mbante larg së keqes. Ajo nënë heroninë, si shumë gra e nëna të tjera, sakrifikuan për fëmijët e njerëzve të dashur që kishin nëpër burgje. Nuk iu shmangën kurrë shiut, dëborës e diellit përvëlues, por shkonin cep më cep, ku i dërgonin të burgosurit familjarë të tyre, për t’iu çuar ushqim.
Përpiqej të na largonte nga persekutimi, por ishte e pamundur të na mbante larg, sepse persekutimi, vuajtja, na ndiqte gjithnjë nga pas. Shtëpia e hallës ku banonim ne, kishte një oborr të madh, të mbushur me pisha. Në mes të oborrit, ishte një pistë e vogël, ku vajzat e hallës luanin. Në mbrëmje vonë, hapja muzikën e radios, e ngrija zërin, dhe në këmishë të natës, dilja te kjo pistë dhe kërceja balet. Isha e pasionuar pas baletit. Dilte mamaja dhe më thoshte: Rita, çfarë bën moj bijë, hajde brenda moj çupë! Në mes të natës, të dalësh, të 
Shënim: Ditari i plotë i Rita Koçit, do të jetë një ndër botimet më të veçanta në botimet e materialet e kujto.al, për historinë e krimeve të komunizmit.


