Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar vendosjen e tabelave paralajmëruese jashtë Muzeut Kombëtar të Historisë Amerikane Smithsonian, për të njoftuar vizitorët mbi ekspozita që administrata e tij i konsideron si “të pasakta”.
Urdhri i Trumpit i kërkon Departamentit të Brendshëm të SHBA-ve të vendosë këto paralajmërime dhe gjithashtu t’u tregojë vizitorëve se ku mund të gjejnë “informacion të saktë mbi historinë e Amerikës”.
Smithsonian-i nuk ka reaguar menjëherë ndaj kërkesës për koment nga BBC.
Urdhri ekzekutiv i firmosur të premten, me titull “Rikthimi i besimit te Institucioni Smithsonian”, akuzon drejtuesit e muzeut se nuk kanë bërë mjaftueshëm për të nderuar themeluesit e Amerikës gjatë 250-vjetorit të pavarësisë së vendit, që u shënua më 4 korrik.
Në dokument thuhet se drejtuesit e muzeut e shohin historinë amerikane si një “mjet kryesor” për të avancuar idetë e drejtësisë sociale dhe transformimin radikal të shoqërisë.
Një deklaratë shoqëruese nga Shtëpia e Bardhë akuzoi gjithashtu muzeun se është zhvendosur drejt “aktivizmit ekstrem politik, të rrënjosur në marksizëm, për të përçarë, demoralizuar dhe dekurajuar amerikanët”.
Ligjvënësit demokratë që mbikëqyrin Smithsonian-in e dënuan urdhrin. Kongresmenia Melanie Stansbury, anëtare drejtuese e Komitetit të Administrimit të Dhomës së Përfaqësuesve, shkroi në platformën X se:
“Ky urdhër ekzekutiv është një tejkalim i qartë politik, i nxitur nga një agjendë ideologjike për të rishkruar historinë amerikane.”
Ajo shtoi se institucionet Smithsonian “nuk i përkasin presidentit, por popullit amerikan, ashtu si edhe historia e kombit”.
Urdhri vjen vetëm pak ditë pas dëshmisë së drejtoreshës së Smithsonian-it, Anthea Hartig, para ligjvënësve republikanë në dy seanca dëgjimore në Kongres, ku muzeu u akuzua se ishte “infektuar nga një ideologji woke” që kishte ndikuar në ekspozitat publike, materialet edukative dhe dokumentet e planifikimit.
Në fillim të këtij muaji, Këshilli i Politikave të Brendshme të Shtëpisë së Bardhë publikoi një raport kritik, ku pretendonte se muzeu “fshin trashëgiminë amerikane”.
Trump ka deklaruar se synon të riformësojë ndjeshëm kulturën amerikane, për të cilën thotë se është ndikuar nga ideologjia e majtë “woke”.
Gjatë mandatit të tij të dytë, presidenti amerikan ka firmosur disa urdhra që synojnë eliminimin e programeve për diversitetin, barazinë dhe përfshirjen (DEI) në administratën federale, disa prej të cilave janë sfiduar edhe në gjykata.
Në mars, Trump firmosi një tjetër urdhër ndaj Smithsonian-it, duke kërkuar eliminimin e asaj që ai e quajti “ideologji të papërshtatshme, përçarëse ose anti-amerikane”.
Institucioni Smithsonian financohet kryesisht nga qeveria federale. Muzeumet e tij mirëpresin çdo vit rreth 15 deri në 30 milionë vizitorë dhe ofrojnë hyrje falas në shumë prej tyre.
Smithsonian administron 21 muzeume në Uashington, Virxhinia dhe Nju Jork, përfshirë Muzeun Kombëtar të Historisë Amerikane, Galerinë Kombëtare të Portreteve, Muzeun Amerikan të Artit, Kopshtin Zoologjik Kombëtar dhe institucione të tjera kulturore.


