Në Ditën e Pavarësisë, pasi dekoroi disa personalitete të polifonisë labe, Presidenti i Republikës, Ilir Meta dha një deklaratë për mediat në qytetin e Vlorës.
“Ky është një 28 nëntor i veçantë për shkak të pandemisë. 28 nëntori i vitit tjetër do të jetë ndryshe për Shqipërinë.
Kjo ditë bashkon popullin shqiptar dhe na fton dhe ne të bashkohemi. Armiqtë janë përpjekur të na përçajnë”, u shpreh ndër të tjera presidenti.
Më tej, Meta u ndal te miratimi i Komisionit Parlamentar për raportin e Dick Marty-t, sa i takon hetimit të krimeve për luftën e Kosovës.
Kreu i shtetit e cilësoi ngritjen e këtij komisioni të padobishëm, që sipas tij nuk i shërben as Kosovës dhe as Shqipërisë, por kundërshtarëve. Vendimmarrjen në fjalë e konsideroi tradhti.
“Komisioni për Dick Marty-n nuk i shërben Shqipërisë dhe as Kosovës.
Aktakuzat ndaj UÇK-së janë të motivuara nga Serbia”, tha Meta.