“El Jefe”, i cili është një hap larg thyerjes së rekordit të Javier Zanetti-t për numrin e ndeshjeve të luajtura më Argjentinën, pas fitores së madhe të marrë kundër Ekuadorit ka lajmëruar se do të tërhiqet nga kombëtarja pas Botërorit të 2018-ës. Mascherano ka luajtur në 3 Kupa të Botës, 5 Kupa të Amerikës dhe ka fituar dy herë medaljen e artë në Lojërat Olimpike (Athinë 2004, Pekin 2008). Në vitet e fundit, ai ka humbur tri finale me kombëtaren (Botërori 2014, Kupa e Amerikës 2015 dhe 2016) dhe për këtë arsye do të donte ta mbyllte aventurën me “Albiceleste”-n në mënyrën më të bukur të mundshme: “Cikli im me Argjentinën do të mbyllet pas Botërorit, por tani ëndërroj të luaj një finale tjetër”.
Javier është i vetëdijshëm për faktin se në vitet e fundit nuk ka arritur të luajë gjithmonë në nivele të larta: “Është normale që tani të luaj më pak sepse tani kemi dy qendërmbrojtës që janë më të mirë se unë. Kërkoj të luftojë për një vend si titullar dhe të jem gati kur të më vijë radha”. Argjentinasi, i cili do të mbushë 34 vjeç në qershor, duket se është në kërkim të një sfide të re. “Kam një kontratë me Barcelona-n dhe më kanë thënë se janë gjithmonë të kënaqur me mua, por në fund të sezonit mund të vendos të largohem”.