• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 7 June, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

7 June, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
BEDRI ISLAMI: Të jesh në parlament si i fortë
Home
Blog

BEDRI ISLAMI: Të jesh në parlament si i fortë

23 December, 2017 Redaktor2 Blog

Nuk kam qenë në Shqipëri shumë vite më parë, kur mësova se një gazetar i njohur , Ylli Polovina, sapo ishte dënuar nga presidenti i kohës, Sali Berisha, sepse, diku mes rrjeshtave, kishte shkruar se presidenti, me zullumet që po bën, nuk duhet të harrojë se Shqipëria ka edhe Avni Rustemër.

Kishte mjaftuar vetëm kaq dhe gazetari ishte dënuar. Nuk ishte e rëndësishme se me sa vite ishte dënuar.

Dënimi i tij ishte bërë çështje e Amnesty International dhe, jo vetëm aty, mbaheshin dy qëndrime: njëri, që gazetari, përmes fjalës së lirë, nuk duhet të marrë dënimin; dhe, tjetri, që përmes fjalës  i ishte bërë një kërcënim i drejtpërdrejtë presidentit të vendit, çka ishte e papranueshme.

Në njërën nga ditët kur dënimi i Polovinës ishte ende një patate e nxehtë, në Shtutgart, u takova me gjyqtarin Bartels, njëra ndër figurat e njohura të jurisprudencës gjermane.

Biseduam për rastin dhe befas më pyeti nëse edhe unë, si gazetar, aq më tepër i opozitës, do e kisha bërë një kërcënim të tillë të heshtur.

Ishte i shqetësuar, sepse ende nuk e kishte njohur si duhet median shqiptare, e cila, aso kohe, duhet thënë, ishte shumë më e besuar se e tashmja, në të cilën vlon kazani i hamendjeve dhe i mashtrimit si askund tjetër. Zoti Bartels, tashmë njohës i mirë i çështjeve të nxehta shqiptare, nuk do të jetë çuditur.

Befas, këto ditë, dy liderë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kryemadhi dhe Vasili, më saktë, dy kryesorët, përsëri e sollën shembullin e Avni Rustemit, por tashmë ndaj kryeministrit të vendit, deri para pak muajve aleati i tyre dhe bashkëqeverisës.

Kërcënimi i tyre ishte i hapur, agresiv deri në themel dhe me këmbënguljen e atij që do i shkojë punëve deri në fund. Zonja Kryemadhi shkoi edhe më tej duke vënë në shenjestër ballin e shefit të qeverisë.

Natyrisht, as nuk më shkon në mendje se dikush, qoftë edhe i shkallës më të lartë të sistemit tonë të drejtësisë, do të mund të mendonte se kjo është një vepër penale dhe të hapte një çështje ndaj tyre. Këtë e di fare mirë dhe, si kanë ardhur punët, për shumë vetë kjo duket gjëja më e parëndësishme.

Ashtu si u është dukur e parëndësishme thënia e çakorduar e ish kryeministrit Berisha se, në rast të një deomonstrimi tjetër, i pari që do të ishte në shenjestër do të jetë Edi Rama, ish shefi i opozitës dhe se, pas vrasjes së tij, ish kryeministri do i thurte fjalimin më të bukur që ishte mbajtur ndonjëherë.

Në fakt, askush nuk habitet nga deklarata të tilla. Dhe e ka një shkak. Në fund të fundit, kjo është politika shqiptare. Politikë halabakësh, që ndërsa thirren në emrin e popullit që i ka zgjedhur, e nuk i ka zgjedhur populli, por kryetari i partisë, rëndojnë mbi popullin me qëndrimin e tyre arrogant, kërcënues dhe mospërfillës.

Të kthehesh edhe një herë tek parlamenti i së hënës që kaloi është të kthehesh tek dhimbja. Të sjellësh ndër mend se si deputetët e opozitës, së dy krahëve, i bënin thirrje turmës që të zaptonte parlamentin dhe të shkelmonte edhe një vend ku ende besohet se mund të flitet, është , po ashtu, e dhimbshme.

Pavarësisht se drejtuesi i deleguar i opozitës , Basha, pak ditë më pas do të deklaronte pa iu dridhur zëri se nuk kishte qenë qëllim zaptimi i parlamentit, se, po të kishin dashur, do e kishin bërë!!!!

Ne kemi një parlament ku dhuna po sundon mbi mendjen dhe ku vetë mendja nuk është në shtëpinë e saj. Të kërcënosh një qytetar të zakonshëm dhe është trazuese, ta kërcënosh atë në terrin e natës dhe nuk duhet të të zërë gjumi, ndërsa, baballarët dhe nënat e shtetit, në fakt disa janë çupëlinat, si një shenjë mburrje për vitalitetin, kërcënojnë një shef qeverie, sepse duan të mbrojnë kushtetutën!!!

Pse po bëhet politika shqiptare një vend kërcënimesh dhe sharjesh, pse po shndërrohet ajo, edhe më tej, në një skutë tinzare, ku populli është zënë në kurth dhe ku e nesërmja nuk mund të jetë më e mirë se e djeshmja?

Në parlament janë deleguar trushkulurit dhe çjerrësit, jo mendjet dhe jo vizionet që mund të kenë vizionarë të pasionuar pas së ardhmes. Janë dërguar Nulët e mendimit intelektual dhe kanë zënë karrikat e të mençurve.

Aty fjala e urtë nuk ka vend. Nëse dëshmohesh se je i ditur, i mënçur, dialogues, sidomos nëse je i ndershëm, në Kuvendin tjetër nuk ke vend. Mbetesh jashtë dyerve të parlamentit.

Sepse liderëve nuk u duhen njerëz që mendojnë, por të fortët, ata që shajnë, që çirren, që kërcënojnë, që thyejnë dyer e dritare, që japin alarmin për një gërvishtje, për një të shtyrë, që pas punës sillen rrugaçërisht, dhe që në fund, kërcënojnë. Koha e prapshtë është aty.

Edhe vetë një rrahës i politikës si Berisha e kuptoi më në fund se mund të mbetesh lider vetëm nëse shtyhesh, nëse përplasesh, nëse rrihesh, nëse çirresh.

Parlamentit tonë i duhen ende trushkulurit, sepse është bërë vendi i tyre.

I duhen ende ata që rrahin gjoksin ose që e çajnë rrugën drejt politikës me gjoks.

U ndjeva rëndë kur një figurë e politikës së lartë, dhe pas saj, më ndjeni, një kaqol i politikës, i sulen shefit të qeverisë me kërcënimin për vrasje.

Të bësh drejtësi nuk do të thotë ta marrësh atë në duart e tua.

Në këtë rast do të thotë të kesh frikë nga drejtësia.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article Vrasja e efektivit të RENEA në Lazarat, kapet autori në SHBA
Previous article E mbani mend ish-çiftin Bertina dhe Erion të BBA3? Gjendet arsyeja pse u ndanë

Redaktor2

Postime të ngjashme

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT