Nga Chicago në Shtëpinë e Bardhë, me një të shkuar të vështirë, e diskriminuar se ishte me ngjyrë dhe se vinte nga një lagje e klasës punëtore, Michelle Obama është kthyer tashmë në një shembull frymëzues.
Autobiografia e ish-Zonjës së Parë të Amerikës mesa duket është pritur me padurim, duke bërë që të shënojë rekord shitjesh që në javën e parë të publikimit, me 1.4 milionë kopje.
Libri “Becoming” i cili tregon jetën e Michelle, rrugëtimin e saj që nga fëmijëria kur jetonte në pjesën jugore të Chicago-s, deri kur u bë Zonja e Parë e Amerikës, ka rrëzuar nga froni librin e Hillary Clinton, “Living History”, i vitit 2003 që ka shitur 600 mijë kopje në ditën e parë.
“Becoming” ka tërhequr lexuesit me përmbajtjen e tij për situatat e vështira që Michelle ka kaluar si problemet martesore dhe terapia në çift, lindjen e vajzave me fekondim artificial mendimet e saj lidhur me Presidentin aktual të SHBA-së, Donald Trump e shumë të tjera.


