“Të bashkohemi për të rikthyer Kushtetuën”.
Ishte ky apeli i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha të hënën, në seancën për çeljen e sesionit të dytë parlamentar.
“Në 18 dhjetor, Kuvendi kreu krimin Kushtetues, kapi Prokurorinë, dhe që prej 18 dhjetorit, në këtë vend janë shembur kollonat ekzistenciale të demokracisë, ndarja e pushteteve.
Njeriu që ka uzurpuar kreun e ekzekutivit është sot edhe kryeprokurori i vendit”, tha Basha, duke shtuar se “ky krim kushtetues u paralajmërua nga opozita.
Ai akuzoi kryeministrin se po kap institucionet duke shkelur Kushtetutën dhe ligjin, për të mbrojtur krimin.
“Qëllimet e kapjes të Prokurorit të Përgjithshëm nga Edi Rama janë të qarta dhe evidente për këdo.
Menjëherë pas këtij akti, Saimir Tahirit iu hoq masa shtrënguese e daljes së tij jashtë shtetit.
I dyshuari për pastrim të parave të Tahirit, Orest Sota, i kapur në flagrancë u lirua dhe nuk është sot në qeli.
Po bëhen sforco dhe përpjekje të mëdha për të ndaluar hetimet ndaj Vangjush Dakos dhe Qazim Sejdinit. M
ark Frrokut dhe fabrikës së kokainës iu ul dënimi në mënyrë lehtësuese dhe prokuroria nuk mori mundimin ta kundërshtojë.
Kthesa të plota drejt mbylljes apo dështimit të hetimit po marrin edhe çështjet Shullazi etj”, tha Basha.
Sipas tij, “këto janë vetëm efektet e para të kapjes së prokurorisë”. “Asnjë nga këto akte që kanë ndodhur dhe do të dalin në dritë nuk janë rastësi, por janë veprime të komanduara politikisht ndërkohë që vendi është në udhëkryqin dhe krizën më të rëndë të 27 viteve”, tha Basha.
Basha akuzoi po ashtu kryeministrin se po synon të diktojë formimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të shmang me çdo kusht krijimin e një SPAK-u të pavarur nga kryeministri, që është struktura antikorrupsion dhe instrumenti më i rëndësishëm për kapjen dhe vënien para drejtësisë të ”peshqve të mëdhenj”.


