Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka paralajmëruar të hënën Kryeministrin, Edi Rama se ajo që nisi në Kukës, nuk do të ndalet deri në rrëzimin e qeverisë.
“Ky është muaji, kur maska e Edi Ramës ka rënë para çdo shqiptari, taksa e Rrugës së Kombit, TVSH-ja për bizneset e vogla, taksa e rritur e banesave, faturat e rritura të ujit dhe të dritave, përjashtimi i mijëra familjeve nga ndihma ekonomike, janë aktet e fundit të një grabitqari dhe mashtruesi që pasi e vjedh e përbuz dhe tallet me popullin e tij. Por unë i them sot nga Shkodra se i ka bërë hesapet gabim. I them sot nga Shkodra se ajo që nisi në Kukës, nuk do të ndalet dhe nuk ka për të ndalur derisa tirania e krimit të rrëzohet”, tha Basha, duke folur në ceremoninë përkujtimore të 4 heronjve të 2 Prillit në Shkodër.
“5 ditë më parë e sfidoi popullin e fjalorin e tij të ndryrë, populli i Kukësit i dha përgjigjen e merituar. Ajo ishte përgjigja e njerëzve që nuk munden më të pranojnë taksat e rritura, kërbaçin dhe haraçin e Ramës dhe një grushti njerëzish që pasurohen me gjakun e tyre.”


