Në ditët e para të dhjetorit 2012, Ina Rama do ta priste në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, për ti lënë detyrën me një ceremoni formale, pasaardhësit të saj, Adriatik Llalla. Më 3 dhjetor ai kishte marë dekretin nga Presidenti i Republikës dhe më 7 dhjetor, Parlamenti e miratoi me votat e PD së Berishës dhe LSI së Metës.
Ina Rama kishte qenë propozim i PD, e quajtur fillimisht nga Berisha si “Silvia Konti” një femër shumë simpatike e drejtësisë në serialin “Oktapodi”, për të përfunduar më pas të quhej po prej tij “lavire bulevardi”, kur ajo nisi hetimet për ngjarjet e 21 janarit ku nga plumbat e Gardës së Republikës mbetën të vrarë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, 4 qytetarë të pafajshëm.
Adriatik Llalla po vinte në këtë detyrë si “garanti” që mazhoranca e asaj kohe të mos kishte më dhimbje koke me organin e akuzës dhe për 5 vitet që vijuan ai e bëri më së miri këtë mision. Përplasja e tyre e parë në distancë ka ndodhur pas disa javës që Ina Rama ishte larguar nga detyra.
JANAR 2013
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, rikthen në detyrë gjashtë prokurorë, pesë prej të cilëve ishin shkarkuar nga Ina Rama dhe nuk pranoheshin në punë pavarësisht vendimeve të gjykatave. Prokurorët Tom Deda, Rita Gjati, Bardhyl Shehu, Drini Pali, Ilia Bano dhe Bajram Breçani janë thirrur në Prokurorinë e Përgjithshme. Në orën 09;00, ata janë pritur në zyrë nga prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla. Ai u ka bërë me dije prokurorëve se pas emërimit në detyrë, kishte marrë dijeni për vendimet e dhëna nga gjykatat, të cilat urdhëronin kthimin në punë në gjashtë rastet.
Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se kryeprokurori Llalla kishte administruar vetë vendimet e dhëna nga gjykatat e Shkallës së Parë, Apeli, Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese dhe, pas konsultimit me këto vendime, ka firmosur rikthimin në detyrë të prokurorëve. “Nuk kam asnjë koment për të bërë për vendimet e gjykatave, derisa ato janë shpallur dhe kanë marrë formë të prerë, Prokuroria do t’i zbatojë”, kanë qenë fjalët e prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, drejtuar gjashtë të rikthyerve në organin e akuzës.
Rikthimi i prokurorëve
Sipas vendimit të firmosur nga prokurori i Përgjithshëm, prokurori Tom Deda rikthehet në detyrë në Prokurorinë e Kurbinit, prej ku është shkarkuar në vitin 2009. Prokurorja Rita Gjati rikthehet në detyrë në Sarandë, prej ku është shkarkuar në vitin 2008. Prokurori Bardhyl Shehu rikthehet në detyrë në Kurbin, prej ku ishte shkarkuar në vitin 2009. Prokurori Drini Pali rikthehet në Durrës, ku ishte larguar me vendim të Ina Ramës në vitin 2010, ndërsa prokurori Ilia Bano riemërohet në Korçë, kurse Bajram Breçani rikthehet në Prokurorinë e Krujës. Ky i fundit është i vetmi prokuror i rikthyer në detyrë, që ishte shkarkuar jashtë mandatit të Ina Ramës. Pesë emrat e tjerë të prokurorëve u shkarkuan nga paraardhësja e Adriatik Llallës, pas inspektimeve të kryera në prokuroritë e rretheve. Gjashtë prokurorët e shkarkuar paditën në Gjykatë largimin e tyre nga puna dhe me vendime të formës së prerë, shkarkimi u cilësua i paligjshëm, ndërsa togat e zeza urdhëruan kthimin në detyrat e mëparshme.
Çfarë ndodhi më pas
Ina Rama kaloi pas kësaj shumë peripeci, sepse përveç të tjerash asaj iu mohua e drejta për tu rikthyer në sistemin e drejtësisë në rolin e Gjyqtares së Apelit siç pëcakton ligji.
Ajo nuk mungoi në një takim që Adriatik Llalla ka zhvilluar me gjithë ish Kryeprokurorët e pas 1990 në Shqipëri. Çka do të thotë se ajo e ka ruajtur raportin e saj formal me institucionin e Prokurorisë dhe me drejtuesin e saj.
Polifoto: Tetë ish Prokurorët e Përgjithshëm të Shqipërisë të pas 1990.
“Ballë për ballë”
Jeta është shumë ironike kur vjen puna tek surprizat qët të rezervon, sidomos në një vend të vogël si Shqipëria. Herët ose vonë, ajo ta jep gjithmonë mundësinë për të kuptuar se “bota është portokall”, herë i mer erë njëri e herë tjetri. Kështu duket se ka ndodhur këtë radhë me një short shumë interesant që ka vënë përballë ish Kryeprokuroren Ina Rama me pasaardhësin e saj në atë detyrë Adriatik Llalla. Ina Rama do të gjykojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (shkalla e dytë e vettingut), Adriatik Llallën.
Ina Rama do të jetë pjesë e një trupe gjykimi prej pesë anëtarësh ku relator i çështjes do të jetë Sokol Çomo dhe ku tre të tjerët që do marin vendimin për Llallën janë Luan Daci, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari. Kjo trupë është pjesë e institucionit të shkallës së dytë të vetingut dhe kjo është çështja e parë që gjykohet në këtë institucion të sapokrijuar pas reformës në drejtësi.
Shkalla e parë e vettingut, KPK (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit) e ndërpreu vettingun për Llallën më 16 shkurt 2018, pas dorëheqjes së tij nga sistemi i drejtësisë, ku sipas ligjit pasi la detyrën e Kryeprokurorit i takonte të niste punën si gjyqtar në Apel. Por, ky vendim u ankimua nga Komisioneri Publik.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar të martën, Kolegji i Posaçëm i Apelimit bën të ditur se është ngritur trupa gjyqësore e cila do të marrë në shqyrtim vendimin për pushimin e hetimeve për ish kryeprokurorin.
“Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është regjistruar çështja (Nr1/2018 JR, datë 27.03.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit Nr 2., datë 16.02 2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit z.Adriatik Llalla,”- tha Kolegji i Posaçëm i Apelimit nëpërmjet një njoftimi.
“Sot, në datën 03.04. 2018 në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u hodh shorti për caktimin e trupit gjykues, kryesuesin e këtij trupi dhe relatorin e çështjes,” shtoi njoftimi.
“Në kurth pa shpëtim”
Ish kryeprokurori Adiatik Llalla i shpëtoi filtrave të vetingut pas dorëheqjes së dhënë nga sistemi i drejtësisë më 12 shkurt.
Të diktuar nga neni nenit G të Aneksit të Kushtetutës, sipas të cilit , “subjekti i rivlerësimit mund të japë dorëheqjen nga detyra dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet”, Komisioni i Pavarur Kualifikimit vendosi e ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për ish kryeprokurorin.
Megjithëse vendimi është marrë më 16 shkurt, Komisioneri Publik, si i vetmi institucion që mund të ankimojë vendimet e KPK-së nuk ka reaguar deri më datë më datë 27 mars, kohë kjo që përkon edhe me një proces disiplinor që ekzistonte në këtë institucioni.
Herald Saraçi, një nga dy komisionerët publik të zgjedhur nga parlamenti u shkarkua nga detyra pasi një trupë gjyqësore e gjeti fajtor për bllokimin e procesit të vetingut dhe shkelje të tjera administrative.
Adriatik Llalla shërbeu si prokuror i përgjithshëm nga viti 2012 deri në dhjetor 2017, kur ai u zëvendësua nga Arta Marku. Gjatë periudhës që drejtoi organin e akuzës, Llala është akuzuar se nuk ka vepruar kundër korrupsionit dhe është përplasur publikisht me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë për shkak të pozicioneve mbi reformën në drejtësi.
Mbyllja e procedurës së vetingut për ish kryeprokurorin erdhi një ditë pasi Sekretari i Shtetit në SHBA Rex Tillerson, publikoi vendimin që i ndalon ish-kryeprokurorit Llalla dhe familjes së tij hyrjen në Shtetet e Bashkuara.
Përgatiti: Alpenews.al



