Klement Balili ishte bërë një çështje e nxehtë jo vetëm për “kronikën e zezë”, por edhe politikën.
Vetëm pak kohë më parë, më 15 tetor, kryeministri Edi Rama kërkonte arrestimin e Balilit para ardhjes së ambasadores së re të SHBA-së në Tiranë.
“Nuk dua që të presim të vijë ambasadorja e re e SHBA që të thotë se Klement Balili nuk është arrestuar ende.
Nuk dua i dashur drejtor, të na përmendë ambasadorja e re amerikane Klemend Balilin, ashtu si nuk dua të jenë në detyrë drejtorë e shefa, në zona, ku uniforma vihet në diskutim”, shprehej Rama.
Ish-ambasadori Donald Lu kishte kërkuar disa herë arrestimin e tij, gjë që në fakt nuk ndodhi për më shumë se dy vjet.
Klement Balili u vetëdorëzua sot, ndërkohë që kushti i tij duket se ka qenë mbyllja e hetimeve nga ana e Prokurorisë dhe dorëzimi i dosjes në gjykatë.
“Klement Balili nuk pranon të dorëzohet deri sa prokuroria të dorëzojë dosjen në gjykatë, pasi pretendon se nuk ka prova.
Ai ka thënë se në momentin që dosja do të shkojë për gjykim, do të dorëzohet.
Policia nuk ka arritur ta thyejë këtë sistem mbrojtës që ka krijuar Balili për ta arrestuar.
Ne dimë çfarë provash ka sjellë Greqia, por nuk dimë çfarë ka bërë prokuroria shqiptare me hetimet”, shprehej pak kohë më parë gazetari Artan Hoxha.


