Policia e Durrësi ka nxjerrë në dritë detaje të reja lidhur me grabitësin, Astrit Thaçi i cili u arrestua ditën e djeshme në Tiranë, pasi më parë kishte kryer një grabitje në një argjendari në Elbasan.
Sipas policisë Astrit Thaçi është një grabitës serial dhe ndaj tij rëndojnë të paktën 8 raste grabitjesh. Po ashtu 27-vjeçari rezulton i dënuar edhe në Itali me 7 vite heqje lirie pasi edhe në këtë shtet kishte kryer grabitje.
Astrit Thaçi
Konkretisht nga 8 rastet e grabitjes, Astrit Thaçi tre i ka kryer në Durrës, katër në Tiranë ndërsa një tjetër e ka regjistruar në Elbasan.
Bizhuteritë dhe lekët që i sekuestroi policia
Seritë e grabitjeve të kryera në 27-vjeçari:
Në Durrës, në datën 08.02.2020, në lagjen 12, Durrës, është vjedhur me armë zjarri filiali i një banke të nivelit të dytë, ku autori mundi të merrte një shumë prej 100.000 lekësh.
-Më datë 10.02.2020, në lagjen 13, Plazh, Durrës, nën kërcënimin e pistoletës ka tentuar të vjedhë banesën e shtetasit R. T., duke e plagosur në këmbë.
-Më datë 11.02.2020, në lagjen nr. 14, Shkozet, Durrës, nën kërcënimin e armës ka vjedhur në një Big Market, nje shumë prej 100.000 lekësh dhe steka me cigare.
Po ky shtetas, më datë 12.02.2020, në rrugën “Muhamet Gjollesha” pranë Zogut të Zi, Tiranë, ka tentuar të vjedhë në një agjenci turistike.
-Me datë 12.02.2020, në rrugën “Llambi Bonat” Kombinat , Tiranë, nën kërcënimin e armës ka tentuar të vjedhë në një Big Market.
-Me datë 13.02.2020, në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, nën kërcënimin e armës ka tentuar të vjedhë në një Big Market.
-Më datë 15.02.2020, në rrugën “Abdyl Frashëri” jashtë banesës së shtetasit R. N., e ka goditur këtë shtetas me sende të forta duke i marë një shumë prej 300 eurosh dhe një aparat celular Iphone 11 ProMax.
Në Elbasan, më datë 15.02.2020, në lagjen “Ali Pasha”, Elbasan, nën kërcënimin e pistoletës ka vjedhur në një argjendari, një sasi bizhuterish.
Ndërkohë sipas policisë në momentin e arrestimit të tij, atij i janë gjetur dhe sekuestruan sendet e mëposhtme:
-17 varëse floriri, dy ora dore floriri, 20 byzylykë floriri dhe 51.700 lekë të reja.
Tashmë i riu do të përballet me akuzat për veprën penale “Vjedhja me armë, e mbetur në tentativë”, “Plagosja e rëndë me dashje”, Vjedhja me dhunë” dhe “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”.