Me maskë në fytyrë dhe i kamufluar si shpërndarës picash, autori ende i paidentifikuar nga policia e Tiranës, e priti Bujar Nasufin në hyrjen e pallatit që 56-vjeçari kishte ndërtuar vite më parë me të atin e vëllain, për të jetuar afër me njëri-tjetrin.
Mbrëmjen e së dielës së 12 janarit, i pari me automjet, për rastësi, iu afrua pallatit në zonën e Selitës në kryeqytet, vëllai i Bujar Nasufit, por autori, të cilin kamerat e sigurisë e kanë kapur në afërsi të banesës, qëndron në pritje, derisa pak çaste më vonë afrohet me makinë edhe 56-vjeçari me bashkëshorten e tij. Sapo 56-vjeçari ka dashur të parkojë, autori është afruar dhe e qëlloi me armë pa zbritur nga makina, në sy të gruas, duke e lënë të vdekur në vend. Në vendngjarje kanë mbetur copat e xhamit të makinës.
Pas vrasjes autori mendohet se largua me motoçikletë të zezë drejt Selitës. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Policia e Tiranës ka gjetur motoçikletën të djegur në zonën ‘Kodrat e Sharrës’, ndërsa është dërguar për ekspertizë, me shpresën se mund të gjenden prova.
Nga hetimet e kryera deri më tani, policia dyshon se pas vrasjes qëndrojnë konflikte brenda rrethit familjar për pronat me anëtarë të tjerë të fisit, pistë e cila po verifikohet e që nuk ka përjashtuar nga hetimi konflikte të tjera të mundshme
Pallatin e tyre e kishin quajtur ‘kulla Ferdinand’, emër i njëjtë me mobilierinë ‘Ferdinand’, në likuidim e sipër, që Bujar Nasufi kishte me të vëllanë, edhe ky biznes, jo shumë larg zonës ku banojnë.


