Vrasja e Klisman Breçit dhe plagosja e Ylli Ibrahimit, tronditi qytetin e Milotit mbrëmjen e djeshme. Mësohet se Ylli Ibrahimi ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Për 46-vjeçarin, ky është atentati i dytë brenda dy vitesh. I njohur si person i afërt i Bujar Likës, i ekzekutuar brenda një hoteli në zonën e Mamurrasit më 31 maj të vitit 2020, Ylli Ibrahimi i ka të hershme problemet me drejtësinë.
I arrestuar dhe dënuar në Itali për trafik të lëndëve narkotike më shumë se një dekadë më parë, ndaj tij u organizua një tjetër atentat më 13 janar të vitit të shkuar, por arriti të mbijetonte. Ngjarja mbeti pa autorë sot e kësaj dite. Nga hetimet e atentatit të më shumë se një viti më parë, hetuesit arritën në përfundimin se dy qitësit të jenë nisur me motor “Skuter” nga Tirana në drejtim të Milotit, për të ekzekutuar Ylli Ibrahimin.
Në këtë ngjarje të rëndë kriminale, autorët kanë qenë të mirorganizuar për të kryer atentatin dhe dyshohen se kanë marrë pjesë më shumë se dy persona, pasi ka dyshime se Ibrahimi është mbajtur në vëzhgim nga dy persona të tjerë në zonën e Milotit, të cilët raportonin mbi lëvizjet e objektivit.
NGJARJA
Sapo Ibrahimi është ulur në një kafe në zonën e Milotit, informatorët kanë treguar vendndodhjen e tij dhe menjëherë drejt vendit janë nisur dy personat me motor. Të armatosur me një automatik “Skorpions”, grupi i qitësve është parë për herë të parë në kamerat e aeroportit të Rinasit, duke udhëtuar drejt zonës së Fushë-Krujës.
Mandej, kamerat e bizneseve e kanë pikasur motorin me dy personat në rrugën dytësore në drejtim të Milotit, ku në këtë zonë kanë qëndruar deri në një sinjalizim të dytë, kur Ylli Ibrahimi të dilte nga lokali. Ata janë vënë në lëvizje sapo janë informuar se Ylli Ibrahimi ka dalë nga lokali dhe ndodhej duke ecur në këmbë në trotuar.
Ata i janë afruar shënjestrës, i cili ishte në shoqërinë e dy personave dhe kanë qëlluar në drejtim të tij plot 20 herë me “Skorpions”, ku pjesën më të madhe të plumbave, plot 7 copë, i ka marrë në pjesën e këmbëve dhe asnjë në trup.
Ai ka marrë dëmtime të shumta, por ka arritur të shpëtojë, ndërsa dy personat që ishin me ta fatmirësisht nuk morën lëndime. Ibrahimi i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin e Traumës në Tiranë.


