Pak ditë pas masakrës së ndodhur në Shëlli, ku u vranë dy punonjës të Bashkisë së Burrelit dhe u plagos një i tretë, një tjetër ngjarje e rëndë ka përfshirë një zyrtar të Bashkisë Mat.
Xhovalin Rica, me detyrë përgjegjës i Shërbimeve Bashkiake pranë Njësisë Administrative Ulzë, pjesë e administratës së Bashkisë Mat si dhe kryetar i PD-së për degën Ulzë, u dërgua në spital me plagë të shkaktuara nga një armë zjarri.
50-vjeçari, edhe pse kishte plagë në pjesën e kraharorit dhe shpinës, ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje nga Policia se kishte plagosur veten nga pakujdesia me armë gjahu. Pas kontrollit në banesën e Ricës, Policia nuk gjeti armën me të cilën pretendonte se ishte vetëplagosur, gjë e cila ngriti dyshime për fshehje të së vërtetës.

Gjithashtu, gjatë pyetjes së të afërmve të 50-vjeçarit, ata i kanë deklaruar oficerëve të Policisë se kishin parë një person të panjohur që, pasi ka thirrur Xhovalin Ricën, e kishte qëlluar me armë të llojit çifte dhe më pas ishte larguar me shpejtësi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:50 në fshatin Bushkash.
“Sapo jemi informuar për ngjarjen, jemi nisur drejt vendit të ngjarjes. Po ashtu, oficerë të Policisë Gjyqësore mbërritën në spitalin e qytetit dhe morën në pyetje të plagosurin. Ai u tha atyre se ishte vetëplagosur me çifte nga pakujdesia. Në bëmë kontroll në banesën e Ricës dhe nuk e gjetëm armën, me të cilën ai pretendonte se ishte vetëplagosur”, bëjnë të ditur burime pranë Policisë.
Mungesa e armës, këqyrja e vendit të ngjarjes, plagët e marra, mekanizmi i ngjarjes krijoi menjëherë dyshime të forta se Rica nuk ishte vetëplagosur, por se bëhej fjalë për një ngjarje kriminale. Pas mbledhjes së informacionit, Policia u vu në ndjekje të autorit të dyshuar Braca, 59 vjeç, banues në fshatin Stojan, në Njësinë Administrative Ulzë. Braca bashkë me të plagosurin Rica mësohet të kenë frekuentuar dy lokale në Burrel dhe fshatin Baz. Madje, dëshmitarët i thanë Policisë se kishin debatuar dhe ishin fyer me njërit-tjetrin. Sherri mësohet se ka si zanafillë debatin për një vend parkimi.
Vetëm afro gjysmë ore pas debatit të fundit në një lokal të Bazit, autori Agustin Braca ka shkuar në banesën e tij, ku ka marrë një armë gjahu të llojit çifte dhe ka shkuar me makinë drejt shtëpisë së Ricës, të cilin e ka qëlluar në momentin që sapo ka dalë në oborr. Çiftja ka pasur saçme për shpendë dhe dëmtimet e shkaktuara në trupin e 50-vjeçarit nuk kanë qenë serioze sa t’i rrezikohej jeta.
Vetëm pak orë pas ngjarjes u arrit prangosja e Agustin Bracës, i cili para oficerëve të Policisë Gjyqësore ka pranuar autorësinë. Ai mësohet se ka deklaruar se ishte ndierë shumë i fyer nga fjalët e Xhovalin Ricës dhe prandaj e ka qëlluar. “Në një lokal, në rrugën e Spitalit Burrel dhe pastaj në Baz ai më ka kërcënuar, fyer dhe denigruar në prani të shumë njerëzve. Ndoshta jam nxituar që ndërmora këtë veprim, por nuk desha ta vras”, është shprehur Braca për grupin hetimor.



