Pesë ditë pas një atentati me shumë enigma në zonën e Shkodrës, Policia lokale ka arritur të identifikojë një nga autorët që qëlloi me armë 34-vjeçarin Vinçens Piroli.
Arjon Beqiri, 23 vjeç, banues në lagjen “Partizani” të qytetit verior, është shpallur në kërkim, duke u akuzuar nga Policia për dy vepra penale, përkatësisht atë të “Vrasjes me dashje”, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Ndërsa ende nuk dihen motivet e atentatit ndaj Pirolit, identifikimi i 23- vjeçarit është bërë nga gjurmët daktiloskopike të gjetura në automjetin e braktisur në lagjen “Kiras” të Shkodrës.
Nga hetimet e Policisë ka rezultuar se Arjon Beqiri e kishte marrë me qira automjetin në fjalë te një agjenci që ofron shërbime të tilla në qytetin e Shkodrës dhe po më datë 3 janar në mbrëmje ka shkuar për të takuar Pirolin i shoqëruar me persona të tjerë. Ende nuk dihen motivet e ngjarjes së rëndë, pasi edhe vetë i plagosuri nuk ka dhënë asnjë detaj për forcat e rendit.
“Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga grupi hetimor i DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, DVP Lezhë dhe DVP Durrës, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit tip ‘BMW X5’, që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur më datë 03.01.2022, në Shkodër, ku persona ende të paidentifikuar plagosën me armë zjarri shtetasin Vinçens Piroli, 34 vjeç.
Gjatë kontrollit të territorit, bazuar në informacionet e grumbulluara, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen e këtij automjeti, i cili ishte braktisur në rrugën ‘Hodo Beg Sokoli’, Shkodër.
Ky automjet është marrë me qira nga shtetasi Arjon Beqiri, 23 vjeç, më datë 03.01.2022, dhe dyshohet se është përdorur nga autorët e krimit.
Në vijim të veprimeve hetimore është shpallur në kërkim për veprat penale ‘Vrasja me dashje’ mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe ‘Armëmbajtja pa leje’, shtetasi Arjon Beqiri, 23 vjeç, banues në lagjen ‘Partizani’, Shkodër”, sqaroi Policia lokale.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.


