Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen Kiras në Shkodër ku kanë mbetur të vrarë dy vëllezër
Viktimat janë Astrit Bilali dhe Ibrahim Bilali të cilët janë qëlluar me breshëri plumbash në derën e banesës.
Mësohet se Astrit Bilali, 60 vjeç është babai i Astmer Bilalit, ish kampionit të boksit me ekipin e Vllaznisë.
Astmer Bilali u arrestua gjatë një operacioni vitin e kaluar si pjesë e grupit kriminal të Bajrave. Dyshohet se ka qenë pikërisht djali i Astrit Bilalit, Astmer Bilali shënjestra e atentatit. Mesa duket autorët kanë ngatërruar një nga viktimat me 30 vjeçarin Astmer Bilali i cili u arrestua muaj më parë për armëmbajtje pa leje si pjesë e grupit Bajri, për t’u lënë më pas i lirë.
Ekzekutimi i dy vëllezërve ka ndodhur rreth orës 9:30 të mëngjesit të sotëm dhe autorët kanë studiuar me vëmendje gjithçka duke pritur për orë të tëra. Pas vrasjes në zonën e Livadhes është gjetur një automjet tip Benz i djegur, me targa false por ende nuk dihet asgjë mbi autorët.


