Policia e Tiranës ka marrë në pyetje sot dy nga katër të plagosurit e ngjarjes së rëndë që tronditi zonën e Don Boskos mbrëmjen e 4 janarit.
Hetuesit po përpiqen të zbulojnë motivin dhe se kush ishte shënjestra kryesore, teksa të gjitha të dhënat dëshmojnë deri tani se bëhet fjalë për një atentat, viktimë e të cilit mbeti 35-vjeçari Erion Çela, me origjinë nga Dibra dhe banues në zonën e Maminasit.
Nga ngjarja mbeti i plagosur edhe vëllai i tij, Blerim Çela, 28 vjeç dhe tre persona të tjerë, midis tyre edhe kamerieri i lokalit.
Autorët e ngjarjes, të cilët nuk janë identifikuar ende nga Policia, mbërritën pranë lokalit me një automjet tip “Benz Mercedez” me xhama të zinj.
Rreth orës 16:15, autorët që dyshohet të kenë qenë tre persona, njëri prej të cilëve drejtuesi i mjetit, kanë ardhur nga Spitali Universitar i Traumës dhe pasi kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tavolinës ku ndodhej viktima dhe disa nga të plagosurit u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Dhjetëra plumba kallashnikovi janë shkrepur në vendin e ngjarjes.
Pasi kryen krimin e rëndë, autorët ndoqën të njëjtin itinerar, duke u larguar nga vendi i ngjarjes po në drejtim të Spitalit të Traumës, për të humbur gjurmët nëpër lagje të zonës së Laprakës.
Targat e automjetit dyshohet se janë të vjedhura në Tiranë dhe i përkasin një automjeti të llojit “Smart”.
Autorët dyshohet se kanë qëlluar nga automjeti në lëvizje, i cili më pas ka marrë kthesën dhe është larguar.


