Agjenti i Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani allias Sheqeri vijon të ndodhet i intubuar në repartin e reanimacionit, në gjendje të rëndë. Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije për Report TV se 40-vjeçari ka marrë 10 plumba në trup, 2 prej të cilëve në kokë, pas atentatit mafioz pranë aeroportit të Rinasit.
Policia e Tiranës ka këqyrur kamerat e bizneseve dhe të aeroportit për të parë lëvizje të dyshimta për persona të tjerë që mund të kenë pasur rol për të informuar autorët që ndodheshin brenda automjetit tip Toyota, të cilët ishin të ndaluar te rrethrrotullimi dhe po prisnin viktimën Gilmando Dani dhe mikun e tij që mbeti i plagosur rëndë.
Po ashtu, po verifikohet për të gjitha mjetet e tjera apo njerëzit që kalojnë disa herë te porta dalëse e aeroportit, ku të skeduar janë ata njerëz që kanë qëndruar më gjatë dhe janë larguar sapo kanë dalë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
Targat e mjetit tip “Toyota” të përdorur nga autorët e atentatit të djeshëm në Rinas rezultojnë të jenë vjedhur në Greqi vitin e kaluar. Grupi hetimor, ende nuk ka përcaktuar nëse makina është e vjedhur apo jo, pasi numri i shasisë nuk është rikuperuar për shkak të dëmtimit nga zjarri.
Autorët, të cilët kanë qenë katër persona, tre qitës dhe një shofer, kanë ardhur nga zona e Niklës në drejtim të Rinasit dhe më pas janë larguar përsëri drejt së njëjtës zonë.
Burime pranë DSIK, institucion që verifikon pastërtinë e figurës për punonjës të AMP-së bëjnë me dije se Muçi Sheqeri nuk rezulton të ketë pasur certifikatë sigurie, ndaj ka nisur një hetim për të zbuluar mënyrën e punësimit të tij pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Sheqeri është punësuar në muajin shtator kur institucioni drejtohej nga Artiol Saliasi.


