Simeone është xheloz që Real Madridi po rrëmben talentët spanjoll para Atletico Madridit e Barcelonës.
“Ata kanë rrëmbyer të gjithë djelmoshat e mirë nga ekipe të ndryshme në Spanjë, dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë ndërsa ne nuk mund t’i marrim këta”, kështu tha Simeone, i cili beson se Real Madridi po mbledh ajkën e Spanjës.
Që nga viti 2010, Real Madridi ka nënshkruar me lojtarë premtues spanjoll të marrë nga klube; Racing, Getafe, Espanyol, Málaga, Real Sociedad, Mallorca, Zaragoza, Atlético dhe Betis.
Këto janë nëntë rastet që ndoshta Simeone i kishte në mendje kur foli në konferencë për media para ndeshjes me Real Madridin, raporton Marca, transmeton Gazeta Express.
Sergio Canales: Erdhi në Madrid në vitin 2010 nga Racing Santander si një nga mesfushorët sulmues spanjoll më premtues. Ai u transferua për 4.5 milionë euro, por dështoi nën urdhëratë e Mourinhos.
Pedro Leon: Në verën e vitit 2010, Mourinho e bleu atë nga Getafe, por që e largoi menjëherë pas një viti, pavarësisht se ishte një ndër lojtarët më premtues spanjoll – ndërsa ai tani e akuzon trajnerin portugez për ngecjen në karrierë.
Jose Maria Callejon: Reali e zyrtarizoi transferimin e tij në maj të vitit 2011 nga Espanyol për 5 milionë euro, dhe luajti për dy sezone me Jose Mourinhon, duke shënuar 20 gola në 77 paraqitje.
Isco Alarcon: 30 milionë nga Malaga në vitin 2013 dhe sot është një ndër mesfushorët më të mirë në botë. Ka fituar tri Liga të Kampionëve me Real Madridin.
Asier Illarramendi: U ble pothuajse për 40 milionë euro në verën e vitit 2013 nga Real Sociedadi, por në vitin 2013 u rikthye në Anoeta pasi nuk bindi shumë në “Santiago Bernabeu”. Kurse tani, ai rregullisht po ftohet në Kombëtaren Spanjolle.
Marco Asensio: Real Madridi pagoi për shërbimet e majtakut 3.7 milionë euro në vitin 2014 nga Mallorca dhe sot ai është një ndër lojtarët më premtues të Spanjës dhe tashmë raportohet se ka siguruar një vend në ekip për Kupën e Botës “Rusi 2018”.
Jesus Vallejo: Tjetër talent spanjoll, që u ble nga Zaragoza për pesë milionë euro në vitin 2015, por debutoi me Los Blancos vetëm këto ditë pasi për dy sezone fitoi përvojë në dy skuadra të ndryshme.
Theo Hernandez: Kjo është më e dhimbshme për Atleticon. Ai u rrit në ekipin e Atleticos, por në fund u transferua te Madridi, duke thënë se e kishte “ëndërr fëmijërore fanellën e bardhë”. Ai u ble këtë verë për 25 milionë euro dhe mund ta përfaqësojë Spanjën, pasi ditë më parë tha se është i irrituar me Francën sepse nuk po i bëhet ftesa as për të rinjtë.
Dani Ceballos: Shihet si e ardhmja e mesfushës për Spanjën. Ai u transferua në Madrid nga Betisi për 16,5 milionë euro. Barcelona dhe Atlético gjithashtu u interesuan për të.


