Era Istrefi veshi një xhup dhe tani parka e markës Mr. Mrs. Italy mban emrin “Bonbon”.
Ndërkaq, Capital T hodhi në treg linjën e bluzave me kapuç- hoodies- me mbishkrimin “Winter is here”, që është titulli i albumit të tij të fundit. Reperi shkroi se të gjitha u shitën menjëherë dhe tani, duhet t’i porosisësh paraprakisht.
Këngëtarët e njohur shqiptarë po bëhen të njohur jashtë vendit dhe tashmë, emrat e tyre po kthehen në brand-e fitimprurëse, duke shtyrë kompanitë të bashkëpunojnë me ta për të hedhur në treg produkte me sukses gjysmë të sigurt.
Edhe Noizy, i cili gjithashtu po merr emër jashtë vendit, hodhi në treg linjën e veshjeve “Illyrian Bloodline” – gjak ilir- me bluza, kapele dhe çorape e aksesorë të tjerë. Brenda pak ditësh, s’mund të porosisje më asnjë bluzë sepse ishin mbaruar.
Por ndërsa Era Istrefi u bë e famshme bashkë me parkan me pellush rozë, Getoar Selimi identifikohet me mjekrën e tij të dendur e të kuruar, ndaj edhe s’kishte pse të shiste domosdoshmërisht rroba. Lideri i Babastars paralajmëroi se do të hedhë në treg një krem për mjekrën, që kush e ka me aq merak sa Getoari, me siguri ka për ta blerë.
Përpara 6-7 vitesh, hedhja në treg e një produkti me emrin e një të famshmi shqiptar mund të dukej një përpjekie e dëshpëruar për të qenë si të huajt, dhe jo pa shkak. Tregu do të ishte shumë më i vogël, pasi asokohe Youtube-i nuk kishte kaluar akoma revolucionin “Gangnam Style” dhe këngët e tyre s’para dëgjoheshin jashtë vendit.
Përveç kësaj, tani njerëzit blejnë online dhe kompanitë tregtuese ofrojnë dërgesa drejt shumë vendeve të botës. Për këtë arsye, këngëtarët e famshëm i shesin produktet në sajte, ku mund të porositen nga fansat në të gjithë botën.
Globalizimi bëri punën e vet edhe me këngëtarët tanë dhe tani, emrat e tyre po vlejnë miliona.
Copyright Anabel.al






