29-vjeçari Leonardo Rakipllari, i arrestuar në Tiranë për armëmbajtje pa leje është përfshire në një konflikt të armatosur një vit më parë në Laç, nga i cili mbeti i plagosur.
Ngjarja ku u qëllua me armë zjarri Leonardo Rakipllari ndodhi mbrëmjen e së martës së 8 shkurtit 2017 në qytetin e Lacit. Konflikti që solli të shtënat ndodhi për motive të dobëta, ndërsa autori ishte Marin Trokthi, 22 vjeç.
Nga Laçi, i riu u dërgua në spitalin e Tiranës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, megjithatë arriti të mbijetojë.
Plagosja
Nga hetimet u zbulua që ngjarja ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta në ambientet e një lokali, midis të dëmtuarit dhe shokëve të tij prezent. Në kohën që Leonardo Rakipllari ka qenë duke u larguar me makinën tip “Nissan” së bashku me 3 shokë të tij, është qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të tyre nga Marin Trokthi i cili, pas të shtënave u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Arrestimi në Tiranë
Burime zyrtare nga policia e Tiranës njoftuan këtë të premte se Rakipllari u arrestua një ditë më parë pasi në makinën e tij u gjet një pistoletë që ai e mbante pa leje.
Të njëjtat burime shtuan se kapja e tij ndodhi në vrazhdën e kontrolleve nga shërbimet e njësisë “Shigjeta” në rrugë të ndryshme të kryeqytetit.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip ‘Audi’, në rrugën ‘Isuf Elezi’, pasagjerit të mjetit, shtetasit Leonard Rakipllar, banues në Tiranë, i është gjetur në çantën e tij të krahut, një armë zjarri e llojit pistoletë tip ‘Zastava’, të cilën e mbante pa leje. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë dhe një krehër me 12 copë fishekë”, njoftoi Policia, që ka ngritur ndaj 29-vjeçarit akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Dosja hetimore iu referua Prokurorisë së Tiranës, shtuan të njëjtat burime.


