Një avokat u arrestua nga policia në Fier pasi dyshohet se inskenonte sikur persona të ndryshëm do të arrestoheshin pas kallëzimeve që nuk përmbanin elementë të veprës penale. Kështu, përmes mashtrimit, ai i bënte njerëzit që ta merrnin avokat.
K. Xh., 30 vjeç, banues në Fier, u arrestua pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, më 8 janar 2020, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
K.Xh gjatë kohës që ka qënë avokat pranë Dhomës së Avokatisë Fier, nëpërmjet skemës së mashtrimit, dyshohet se realizonte presione dhe inskenime ndaj qytetarëve të ndryshëm kundrejt përfitimit të shumave financiare për arrestime/ndalime ndaj tyre, për shkak të kallëzimeve penale që bëheshin, por që nuk përmbanin elementë të veprës penale.
Avokati i ndaluar do të hetohet më tej nga SPAK.


